Për shkak se mbrojtja nuk e ka pranuar ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit të Themelores me të cilin kryekuvendari Glauk Konjufca ishte liruar nga akuza për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, është ndërprerë seanca në Gjykatën e Apelit.
Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i kolegjit të Apelit, gjykatësi Skender Çoçaj bëri të ditur se ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në seancë mungoi Konjufca, për të cilin gjykatësi Çoçaj tha se ftesa i është dorëzuar, mirëpo adresa ka rezultuar jo e saktë.
Mbrojtësja e Konjufcës, avokatja Arbnora Zeqiri ths se prezenca e Konjufcës nuk është e obligueshme në këtë seancë, por nëse është e nevojshme do komunikojë me të.
Sipas Zeqirit, Konjufca është i njoftuar për seancën.
“Ne si mbrojtje nuk kemi pranu ankesë, nga gjykata e shkallës së parë, që të na jepet mundësia të përgjigjemi”, tha Zeqiri.
Avokatja kërkoi që kërkesa t’iu dorëzohet në mënyrë zyrtare.
Në këto rrethana, për shkak se mbrojtja nuk e ka pranuar ankesën, seanca e sotme u ndërpre.
Më 26 shkurt 2024, Konjufca ishte liruar nga akuza pasi nuk ishte provuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
Në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Çanta tha se Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkonte me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohej se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” përcaktuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.