Pasi Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kanë njoftuar se do të dorëzojnë mocion për rrëzimin e akuzave në aktakuzë.

“Në përputhje me Rregullën 130(1) të Rregullores për Procedurën dhe Provat para Dhomave të Specializuara të Kosovës (“Rregullorja”), Mbrojtja për z. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi (“Mbrojtja”) njofton me këtë Trupin Gjykues se ka për qëllim të paraqesë një kërkesë për të hedhur poshtë disa ose të gjitha akuzat në aktakuzë”, thuhet në parashtresën e katër ekipeve të mbrojtjes në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, në këtë parashtresë thuhet se mbrojtja do të bëjë njoftimin e saj në rast se do të paraqes prova, por pas marrjes së vendimit për mocionin në fjalë.

“Në përputhje me Rregullën 119(1) të Rregullores, mbrojtja do ta njoftojë trupin gjykues nëse do të paraqitet një çështje e mbrojtjes, pas marrjes së një vendimi në bazë të Rregullës 130”,thuhet në parashtresë.

Ndryshe, Prokuroria më 15 prill 2025 ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.