Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli edhe sot do të vazhdojë me paraqitjen e fjalës përfundimtare në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Dje, avokati i tij, Rodney Dixon, tha se çështja kundër Veselit është “si përpjekje për të gjetur njëbrirëshin”.
“Çështja e Prokurorisë kundër Veselit mund të përshkruhet si një përpjekje për të gjetur njëbrirëshin. Për më shumë se pesë vjet që kur u ngrit aktakuza, e madje edhe më parë, që në 2015 ku u krijuan Dhomat e Specializuara dhe filluan hetimet, ZPS-ja ka gjurmuar diçka që nuk ekziston, janë munduar që të gjejnë prova për përfshirjen e Kadri Veselit në veprimtari penale”, tha ai.
Sipas tij, rasti ndaj Veselit është unik “sepse nuk ka asnjë provë e jo më të këtë bërë ndonjë vepër penale”.
Dixon: Veseli ishte anëtar i përkushtuar i UÇK-së dhe ky nuk është krim
Avokati Dixon tha se Veseli ishte student kur iu bashkua UÇK-së dhe ishte anëtar i përkushtuar i saj. Sipas tij, ai luftoi për “lirinë e Kosovës dhe për të pasur një të ardhme pa ndarje pa brutalitet. Por, ky nuk është krim”.
Sipas tij, ZPS nuk ka asnjë provë kundër Veselit dhe asnjë dëshmitar nuk e ka përmendur atë, madje nuk e kanë njohur Veselin.
“Provat tregojnë se ai ka punuar në UÇK që të parandalonte civilët e Kosovës të ndëshkoheshin, të shënjestroheshin. Këtë e ka bërë me komunitetin diplomatik, në fushën e zbulimit”, tha Dixon.
Ai po ashtu argumentoi se për periudha të gjata, që mbulohen në aktakuzë, Veseli nuk gjendej në Kosovë.
“ZPS-ja mund të argumentojë deri sa të vie fundi i botës nëse dëshiron se kanë prova kundër Veselit, por kjo nuk ndryshon që ju të nderuar gjykatës mund ta shihni tani që në fakt është një çështje e dobët kundër tij. Madje, është pikërisht mosekzistenca e provave. ZPS-ja ndjek të kotën”, tha Dixon.
Mbrojtësi i Veselit: Kemi ngelur në duart e thashethemeve
Mbrojtësi i Veselit po vazhdon fjalën përfundimtare, duke insistuar se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë për përfshirje në krime, por theksoi se “kemi ngelur në duart e thashethemeve”.
Ai tha se emri i Veselit përmendet 260 herë në dosjen e Prokurorisë, por në asnjë rast emri nuk i përmendet në një kontekst që ka element kriminal.
“Pretendimet e drejtpërdrejta [për përfshirje në krime të Veselit] janë bazuar tërësisht në prova dytësore, shpesh dhe janë hequr. ZPS nuk ka gjetur asnjë dëshmitar që të vijnë në gjykatë dhe të thotë se Veseli ka kryer krime. S’mund ta bënin sepse nuk ekziston”, tha ai.
Dixon se tha në periudhën e luftës askush nuk e njihte Veselin, por kur ai u bë i njohur pas luftës, në aspektin politik, “dolën disa persona që u përpoqën të njollosnin emrin e tij”.
“Ndonëse nuk thanë asgjë kundër tij në luftë, pas luftës dolën me akuza të pabaza. Por, asnjë prej tyre nuk erdhi këtu në mënyrë që ta kontestonim”.






