25.3 C
New York
Wednesday, July 23, 2025

Buy now

Mbrojtja e Thaçit planifikon t’i thërrasë 12 dëshmitarë, ajo e Krasniqit pesë

- Advertisement -

Mbrojtja e Hashim Thaçit dhe ajo e Jakup Krasniqit kanë njoftuar që si pjesë e paraqitjes së provave të tyre, synojnë t’i thërrasin 17 dëshmitarë.

12 dëshmitarë synon t’i thërrasë mbrojtja e Thaçit, e që parashtrimet për këtë pjesë i bëri përfaqësuesi i saj, avokati Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në këtë fazë, ne synojmë t’i thërrasim 12 dëshmitarë, prej të cilëve 11 do të presim që të japin dëshmi në sallën e gjyqit. Megjithatë, tani jemi në gjendje të konfirmojmë vetëm tre dëshmitarë. Një prej dëshmitarëve pritet të japë dëshmi viva-voce…Tani që po flasim kemi një dëshmitar. Një tjetër dëshmitar është nxjerrë që është dëshmitar sipas Rregullës 154. Tani dëshmitari tjetër që është nxjerrë është sipas Rregullës 153. Do të thoja që për pjesën më të madhe të tyre, në mos të themi për të gjithë dëshmitarët që ngelin, presim që të bëjmë kërkesa sipas Rregullës 154, por edhe kjo varet nga marrja e autorizimeve nga marrësi i informacionit apo dëshmitarëve”, tha Mishetiq.

Ndërsa, Aiden Ellis që përfaqëson Jakup Krasniqin, tha se ata synojnë të thërrasin vetëm pesë dëshmitarë.

“Janë pesë në tërësi. Dy prej të cilëve presim që të paraqiten sipas Rregullës 154. Dy sipas Rregullës 153 dhe një sipas Rregullës 155”, tha Ellis.

Në anën tjetër, Mishetiq tha se presin autorizimin për 30 dokumente sipas Rregullës 170. Tha se kanë dëshmitarë që i përkasin trajtimit në bazë të kësaj rregulle.

Ndryshe nga Mishetiq, Ellis tha se nuk kanë dëshmitar sipas kësaj rregulle, por disa pjesë të dokumenteve. Tha se bëhet fjalë për pesë dokumente për të cilat ende nuk kanë marrë autorizim.

Avokati Mishetiq shtoi se deklaratat që parashihen sipas Rregullës 145 e që duhej dhënë ZPS-së, tashmë e kanë bërë. Gjyqtari Guénaël Mettraux pyeti Mishetiqin se në rast që nuk marrin autorizim për asnjë prej këtyre dëshmitarëve ose disa prej tyre deri më datë 18 gusht 2025 cili është plani i tyre.

Mishetiq tha se është çështje interpretimi i Rregullës 107, për çka ka kërkuar opinion, por që nuk ka marrë përgjigje. Tha se deri në momentin që të marrë përgjigje, ai nuk do të nxjerrë asnjë emër.

“Nuk dua ta shfrytëzojë këtë situatë të mjegullt dhe të nxjerr informacion që nuk duhet nxjerr”, tha Mishetiq.

Ai tha se nëse nuk arrijnë deri më 18 gusht të marrin autorizim për këta dëshmitarë, presin t’iu ndihmojë gjykata me autorizimet përkatëse.

“Sa i takon afatit të 18 gushtit, synimi im është nëse nuk dëgjojmë gjë prej tyre, do të merrni kërkesë prej nesh që të na ndihmoni ju me autorizimet përkatëse dhe kjo do të ndodhë para datës 18 gusht”, tha Mishetiq.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, avokati Mishetiq tha se janë në kontakt me ofrues të informacionit sipas Rregullës 107 dhe me shumicën prej tyre kanë pasur komunikime verbale.

“Një prej tyre nuk është shumë bashkëpunues, por mendoj që më shumë është i kujdesshëm jo që nuk është dakord me procesin”, tha Mishetiq.

Të ngjashme

Të fundit