0.2 C
New York
Wednesday, December 3, 2025

Buy now

Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit s’kanë më prova e dëshmitarë, gjykimi drejt fundit

- Advertisement -

Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së, tashmë janë në fazën e fundit.

Edhe zyrtarisht, mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit e kanë njoftuar trupin gjykues në Speciale, se po i mbyllin çështjet e tyre. Pra, nuk ka më dëshmitarë e as prova.

Në parashtresat e publikuara të cilat i ka parë Nacionale specifikohet se më nuk ka asnjë dokument që do të paraqitet.

“Në përputhje me Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Z. Hashim Thaçi konfirmon me anë të kësaj se, në këtë fazë, nuk ka më dëshmitarë për t’u thirrur dhe asnjë material tjetër provues për t’u paraqitur si pjesë e çështjes së Mbrojtjes. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, Mbrojtja e mbyll çështjen e saj. Megjithatë, ky njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”, thuhet në parashtresë.

Ngjashëm, thuhet edhe në parashtresën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

“Mbrojtja e Jakup Krasniqit nuk ka ndërmend të thërrasë më shumë dëshmitarë ose të paraqesë ndonjë material tjetër provues si pjesë të çështjes së saj. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, dhe Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Krasniqit me anë të kësaj mbyll çështjen e saj. Ky Njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja e Krasniqit mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”, thuhet në parashtresë.

Deri te ky vendim vjen pas refuzimit të shtimit të Bislim Zyrapit në listën e dëshmitarëve.

Në seancën e fundit, mbrojtja e krerëve të UÇK-së dhe Prokuroria, kërkuan disa ndryshime në afatet që ishin dhënë paraprakisht nga gjyqtarët.

Ato përfshinin afatet për dosjen përfundimtare, fjalën finale që do të afektonte edhe dhënien e vendimit.

Prokuroria dhe Mbrojtja kërkuan që të kenë kohë deri më 30 janar për dorëzimin e dosjeve përfundimtare, kurse 45 ditë pas kësaj, të jepen fjalët finale. Çka i bie deri në mesin e muajit mars, të jepen fjalët përfundimtare.

Megjithatë, Gjykata Speciale nuk e aprovoi krejt kërkesën.

Bazuar në vendimin e fundit, Gjykata Speciale ka vendosur që dosjet përfundimtare të dorëzohen deri më 19 janar. Kurse, fjalët finale të jepen prej 9 deri më 13 shkurt., gjithashtu me 16 dhe 18 shkurt.

Si rezultat, pas dhënies së fjalëve përfundimtare, gjyqtarët kanë kohë të paktën 3 muaj për dhënien e vendimit.

Pra, vendimi në shkallën e parë për Thaçin e të tjerët pritet në fundin e muajit maj, ose më së largu deri në fillimin e qershorit.

Të ngjashme

Të fundit