Gjykata Speciale e ka rrëzuar kërkesën e Rexhep Selimit për vendosjen e disa garancive gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve të Thaçit e Krasniqit.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja Angela Griep.
Njoftimi:
Më 8 shtator 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të vendosur disa garanci gjatë pyetjeve të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e tjera të Mbrojtjes. Këto përfshinin kufizimin e objektit të pyetjeve dhe moslejimin e palëve që pyetjet në cilësinë e palës jothirrëse të jenë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e një të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar. Në vendim, Trupi Gjykues shpjegoi se, kuadri i lejuar dhe kufizimet e pyetjeve nga palët jothirrëse janë të përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe në Urdhrin e Trupit Gjykues për Zhvillimin e Gjykimit. Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me temat e trajtuara nga pala thirrëse si dhe lidhur me besueshmërinë e dëshmitarit, dhe në përgjithësi janë të autorizuara t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve për aspekte që lidhen me argumentet e tyre, me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën.
Trupi Gjykues u shpreh se i kishte parasysh shqetësimet e ngritura nga Mbrojtja e Selimit, por do të ishte e parakohshme dhe hamendësuese në këtë fazë që Trupi Gjykues të vendosë kufizime shtesë, pasi ende nuk ka informacion se çfarë provash mund të synojë Prokuroria të marrë përmes pyetjeve të saj ose për provat që mund të kërkojë të pranohen përmes dëshmitarëve të Mbrojtjes, si dhe nuk ka informacion për llojet e pyetjeve që do të bëjë Prokuroria. Për rrjedhojë, Trupi Gjykues njoftoi se këto shqetësime do t’i trajtojë vetëm nëse kundërshtohet një pyetje që mendohet si e palejueshme nga pala kundërshtuese, ose në momentin e pyetjes, ose në pajtim me procedurën e përcaktuar në Urdhrin për Zhvillimin e Gjykimit.