18.3 C
New York
Monday, September 1, 2025

Buy now

Mbrojtja e Fazliut: Do bëjmë njoftim për një gabim faktik si bazë që përjashton përgjegjësinë penale

- Advertisement -

Mbrojtja e Fadil Fazliut e ka njoftuar trupin gjykues se do të bëjë një njoftim për një gabim faktik, që sipas tyre, është bazë për përjashtim të përgjegjësisë penale të të mbrojturit të saj.

Në parashtrimin e saj të dorëzuar më 29 gusht 2025, mbrojtja e Fazliut e përfaqësuar nga avokati David Young, tha se mbrojtja është në proces të përcaktimit të nevojës për dëshmi nga dëshmitarët, raporton “Betimi për Drejtësi“

“Mbrojtja e Fazliut synon të japë njoftim për një gabim në fakt si bazë që përjashton përgjegjësinë penale. Mbrojtja do të zbulojë prova dokumentare në mbështetje të kësaj. Në këtë moment, Mbrojtja është në proces të përcaktimit të nevojës për dëshmi nga dëshmitarë. Nëse përgjigjja do të jetë pozitive, ajo do të zbulojë provat përkatëse në përputhje me këtë. Në çdo rast, është e pamundur që të kërkohen masa mbrojtëse”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.

Veç kësaj, mbrojtja tha se synon që të paraqes parashtresë paraprake për të dhënë njoftimin mbi bazën e saj të propozuar që përjashton përgjegjësinë penale.

Avokati Young tha se janë duke zhvilluar hetime sa i përket çështjes së tyre kundër administrimit të drejtësisë, në të cilën klienti i tyre akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

“Mbrojtja synon të kryejë hetime, ka hartuar planet e saj dhe ka ndërmarrë hapat fillestarë. Pista të ndryshme të hetimit janë duke u zhvilluar aktivisht. Megjithatë, shkalla e hetimit të domosdoshëm ende nuk ka dalë në pah, të paktën deri në marrjen e njoftimit të Parashtresës Paraprake të ZPS-së dhe të listave të dëshmitarëve dhe të provave”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.

Veç kësaj, mbrojtja thotë se nuk është në gjendje që të japë vlerësime se sa kohë do t’i duhet për t’i përfunduar aktivitetet hetimore pasi që çdo afat që do e përcaktonin tani, mund të ndryshonte varësisht prej ecurisë së çështjes.

Megjithatë, mbrojtja ka njoftuar se në këtë fazë nuk parashikojnë analiza forenzike të materialeve të nxjerra, por kjo nuk është definitive.

Po ashtu, mbrojtja ka thënë se pret që të jetë gati për fillimin e çështjes së Prokurorisë 30 ditë pas njoftimit të parashtresës paraprake nga të gjitha palët.

Ndryshe, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të ngjashme

Të fundit