Shqipëria e mbylli fazën kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në vend të dytë në grup, duke siguruar biletën për në fazën play-off dhe duke mbajtur gjallë ëndrrën për pjesëmarrjen në Botërorin e ardhshëm që zhvillohet në Amerikë, Meksikë dhe Kanada.
Mes lojtarëve që shkëlqyen më së shumti në këtë fushatë ishte edhe Mario Mitaj. Mbrojtësi i majtë shqiptar ka qenë një nga pikat më të forta të Kombëtares, duke bërë diferencën në çdo ndeshje me lojën e tij të qëndrueshme dhe paraqitjet plot personalitet.
Platforma e njohur e statistikave “SofaScore” e ka përfshirë Mitajn në formacionin më të mirë të kualifikimeve të Botërorit për zonën e Evropës, një vlerësim që e vendos futbollistin shqiptar krah emrave të mëdhenj të futbollit botëror.
Mitaj është notuar me 7.6, një vlerësim i lartë që e rendit atë përkrah yjeve si Virgil van Dijk, Pedri, Kylian Mbappe, Michael Olise dhe shumë të tjerë.
Një arritje e madhe dhe plotësisht e merituar për mbrojtësin e Kombëtares kuqezi, i cili ka bërë një sezon kualifikues të jashtëzakonshëm.







