30 C
New York
Monday, July 14, 2025

Buy now

Mbreti i ri në “Bernabeu”: Alonso me dorë të hekurt, fund epokës së “të paprekshmëve”

- Advertisement -

Trajneri i ri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka marrë mbështetje të plotë nga drejtuesit e klubit dhe kompetenca të pakufizuara për të ndërtuar ekipin sipas vizionit të tij.

Sipas asaj që shkruan gazeta prestigjioze spanjolle Marca, nuk ka më “të paprekshëm” në ekipin madrilen – çdo lojtar, pavarësisht emrit apo statusit, mund të ulet në stol.

“Menaxhmenti i klubit e informoi Xabin se ai mund të lërë këdo që dëshiron në stol”, shkruan Marca, duke theksuar se Real Madridi i ka dhënë trajnerit të ri lirinë e plotë për të marrë vendime pa ndërhyrje, dhe se çdo lojtar që nuk përshtatet me sistemin e tij, do ta ndjejë pasojën.

Alonso ka theksuar se skuadra nuk është e kompletuar dhe se nevojiten përforcime. Kjo u bë e qartë që para nisjes për në SHBA për Kupën e Botës për Klube dhe u konfirmua pas humbjes 0-4 në gjysmëfinale ndaj PSG-së. Ai kërkon elementë të rinj që t’i përshtaten stilit të tij. Carreras pritet të jetë afrimi i parë, por jo i fundit.

Pavarësisht humbjes zhgënjyese në gjysmëfinale, drejtuesit e Real Madridit janë të bindur se kanë marrë vendimet e duhura, si në ndërrimin e trajnerit ashtu edhe në strategjinë për afrimet dhe largimet.

Ata e konsiderojnë fazën e tranzicionit si të nevojshme për të rikthyer konkurrencën dhe identitetin e skuadrës.

Largimi i Carlo Ancelottit, sipas medias madrilene, ishte i pashmangshëm. Besimi te trajneri italian u lëkund që në fillim të sezonit dhe marrëdhëniet me ekipin mbetën të ftohta deri në fund.

Ndërkohë, Xabi Alonso perceptohet si njeriu ideal për t’i udhëhequr Los Blancos në një cikël të ri, me vendosmëri dhe ide të qarta.

“Absolutisht asnjë kufizim, pavarësisht emrit të lojtarit. Që tani e tutje, skuadra duhet ta pranojë plotësisht atë si të vetin. Pa Luka Modric, Lucas Vazquez (dhe disa largime të tjera të mundshme), ai duhet ta ndërtojë grupin sipas vizionit të tij”, shkruan Marca.

Trajneri i ri nuk ka vetëm detyrimin për të fituar, por edhe për të rikthyer shpirtin konkurrues në dhomat e zhveshjes.

“Liri e plotë për të marrë vendime”, është mesazhi i qartë i klubit për të dhe për çdo lojtar që nuk dëshiron t’i bashkohet kauzës.

Të ngjashme

Të fundit