Të sanksionuarit dyshohen për përfshirje në aktivitete të lidhura me kontrabandën me njerëz, sipas vendimit të publikuar sot nga Sekretari i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar.
Ndëshkimet janë vendosur mbi bazën e Rregullores për Sanksione ndaj Migracionit të Parregullt Global dhe Trafikimit të Personave 2025, sipas aktit të dezignimit të Sekretarit të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar.
Në listën prej dhjetë të sanksionuarve ndodhet edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Arif Krasniqi, i arrestuar në fillimin e këtij viti në Prishtinë nën dyshimin për akuzat e “pjesëmarrjes në grup kriminal” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Në dezignimin për Arif Krasniqin, Sekretari i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar shkruan se ai ka qenë i përfshirë në prodhim të dokumenteve të falsifikuara për më shumë se 50 shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
“Si anëtar i rrjetit ‘Krasniqi’, ai ka ndihmuar hyrjen e paligjshme të personave ku nuk janë shtetas ose rezidentë, me qëllim përfitimin financiar”, thuhet në aktin e dezignimit ndaj Krasniqit.
Sipas vendimit, Krasniqi, një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka operuar një laborator të sofistikuar falsfikimi në Prishtinë.
Nëntë individët e tjerë të sanksionuar janë: Flamur Krasniqi, Burim Krasniqi, Valon Krasniqi, Sami Duriqi, Granit Avdyli, Nexhmije Selmani, Shkëmbim Emërllahu dhe Endrit Emërllahu.
Flamur, Valon dhe Burim Krasniqi janë familjarë të Arif Krasniqit.
Dhjetë individët e sanksionuar dyshohen për përfshirje dhe bashkëpunim me grupin e Krasniqit.
Për shembull, Nexhmije Selmani dyshohet se ka gjetur “hapësira dhe pajisje për falsifikimin e dokumenteve, si dhe ka organizuar kontratën për marrjen me qira të këtyre hapësirave, për rrjetin KRASNIQI.”
Në Kosovë, hetime penale po zhvillohen nga Prokuroria Speciale për rrjetin e Krasniqit.
Grupi, ra në radarin e organeve të rendit në janar të vitit 2025 pas një kontrolli të rastësishëm të një automjeti të cilin po e drejtonte Flamur Krasniqi. Brenda automjetit, Policia kishte gjetur 16 çanta të ngarkuara me materiale për prodhim të dokumenteve të falsifikuara.
Hetimet kishin zbuluar ekzistencën e një laboratori të sofistikuar në një lagje në Veternik të Prishtinës.
Pas arrestimit, të dyshuarit ishin vendosur në paraburgim me vendim të Gjykatës në Prishtinë.