Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar sistemin e drejtësisë në vend.
Kurti tha se as pas 30 javësh prej sulmit terrorist në Banjskë nuk ka aktakuzë ndaj Milan Radoiçiq.
“Sot po hyjmë në javën e 30-të prej sulmit në Banjskë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, por ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për sulmin terrorist që na vrau rreshterin dhe heroin Afrim Banjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të ishte problem se lere më java e 30-të në të cilën hyjmë sot”, tha ai.
Më tutje ai lavdëroi Qeverinë e tij, por pati kritika për sistemin gjyqësor.
“Gjysma e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Qeverisë, vetëm 1/3 është e kënaqur me punën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve”, theksoi shefi i qeverisë.
I pari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se në veri është ulur ilegaliteti dhe është shtuar ligjshmëria e siguria.
“Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, janë shkatërruar nëntë laboratorë droge, gjashtë të kriptovalutave dhe katër depo të armatimit. Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale dhe armatim në vlerë prej 15 milionë eurove. Janë ngritur nëntë stacione policore për të rritur sigurinë”, tha kryetari i Vetëvendosjes.