Profesori universitar, Blerim Latifi, ka komentuar mbledhjen e sotme të përbashkët të dy kuvendeve Kosovë-Shqipëri. Ai në postim në “Facebook” ka thënë se kjo mbledhje “i sjellë në vëmendje disa fakte që nuk duhet të harrohen kurrë”.
Fakti i parë sipas Latifit është që shpallja e pavarësisë së Shqipërisë u referohej të gjitha trevave etnike shqiptare e jo Shqipërisë me kufijtë e tanishëm.
“Pavarësia e Shqipërisë e shpallur me 28 nëntor 1912 u referohej të gjitha trevave etnike shqiptare, e jo Shqipërisë me kufijtë e tanishëm, të cilët u vendosën me 1913. Prandaj festa e 28 nëntorit është festë e të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Latifi.
Postimi i plotë i Latifit:
Mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve në prag të festës së 28 nëntorit, përtej fjalimeve të mbajtura aty me kujdesin e gjuhës diplomatike, na sjell në vëmendje disa fakte që nuk duhet t’i harrojmë kurrë:
– Pavarësia e Shqipërisë e shpallur me 28 nëntor 1912 u referohej të gjitha trevave etnike shqiptare, e jo Shqipërisë me kufijtë e tanishëm, të cilët u vendosën me 1913. Prandaj festa e 28 nëntorit është festë e të gjithë shqiptarëve.
– 28 nëntori ka frymëzuar të gjitha lëvizjet çlirimtare në Kosovë, përfshi Luftën e UÇK- së. Prandaj historia e tyre nuk mund të kuptohet jashtë narrativës kombëtariste shqiptare.
-Zhvillimet e kohëve të fundit në botë na tregojnë se besnikëria kombëtare vazhdon të mbetet modeli më efektiv i solidaritetit njerëzor dhe kusht themelor i funksionimit të demokracisë. Thënë ndryshe: nuk ka demokraci jashtë kuadrit të kombit-shtet. Prandaj Ideja e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë nuk paraqet një projekt nostalgjik, siç mundohen ta paraqesin snobët postnacionalistë, por një projekt të domosdoshëm gjeopolitik dhe demokratik.