13.4 C
New York
Monday, December 30, 2024

Buy now

Mbi 900 milionë euro: Paralajmërohen ngecje edhe në Planin e Rritjes, Bislimi lavdërohej me një “draft”

- Advertisement -

Kosova mund ta ketë të vështirë t’i bashkangjitet Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, nëse bllokon CEFTA-n. Kështu i është thënë nga Brukseli, të dërguarit të Qeverisë Gjermane për rajonin, Manuel Sarrazin. Vendi parashihej të përfitone mbi 900 milionë euro nga kjo pako, e madje, e ka nisur edhe një “draft” rreth të njëjtit.

Tashmë Gjermania e ka bërë të qartë kërkesën për kompromis ndaj Qeverisë Kurti. Nga Kosova po kërkohet që të heq ndalesën ndaj mallrave serbe, e vendosur pas rrëmbimit të tre policëve vitin e kaluar nga ana e Serbisë, dhe në këmbim të kësaj, t’i ofrohet që ta heq UNMIK-un si përfaqësues në CEFTA.

Emisari Sarrazin ka qenë shumë i zëshëm sa i përket kësaj çështje, dhe madje, ka folur edhe për pasoja të tjera.

“Isha në Bruksel dhe disa njerëz po më thoshin se nëse Kosova bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkangjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së. Konkretisht për Kosovën mund të jetë pengesë në atë planin CEEPA. Pasojat, pra mund të jenë për popullin, për qytetarët. Pra, thjesht mund ta bllokoni vetën, nuk mund t’i bllokoni të tjerët…” – tha ai në një intervistë për RTK të premtën.

Drafti narrativ

Para pak muajsh, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të njoftonte se pas punës “voluminoze e intensive”, kanë nisur te Komisioni Evropian “draftin e narrativit”.

Në thuajse secilën deklaratë për Planin e Rritjes, Bislimi ka përmendur se Kosova mund të përfitojë 945 milionë euro.

“Vendi ynë është i pari në rajon i cili e ka përmbushur këtë hap dhe dërguar këtë dokument drejt Bashkimit Evropian, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, angazhimit e përkushtimit në avancimin e procesit të integrimit evropian dhe përfitimit nga dritarja e mundësisë që ofron kjo iniciativë e BE-së.

Hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve, e ku puna po vijon në negociata dhe konsultime me institucionet e Bashkimit Evropian. Vendi ynë pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive.” – deklaronte ai.

Në anën tjetër, edhe ish-ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog duke folur për Planin e Rritjes, theksonte “lëvizjen e lirë të mallrave”.

Në këtë drejtim, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve është një komponent kyç i Planit të Rritjes. Prandaj, inkurajoj Kosovën që të heqë ndalimin e mallrave serbe sa më shpejt të jetë e mundur.” – kishte Szunyog.

Plani i Rritjes

Plani i Rritjes, siç është bërë e ditur nga Komisioni , synon të forcojë përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me parimet, ligjet dhe standardet e BE-së, me qëllimin përfundimtar për të lehtësuar anëtarësimin e rajonit në BE.

Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në katër shtylla kryesore:

Integrimi me tregun e përbashkët të BE-së: Plani ka prioritet përafrimin me rregullat e tregut të përbashkët, lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, si dhe qasjen në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA), etj.

Tregu i përbashkët rajonal (CRM): Duke miratuar standardet dhe rregulloret e BE-së, Ballkani Perëndimor synon të krijojë një treg rajonal koheziv, duke shtuar potencialisht 10 për qind në ekonomitë e tyre. Plani i Rritjes parashikohet si një katalizator për konkurrencën, tërheqjen e investimeve dhe mbajtjen e fuqisë punëtore.

Angazhimi ndaj reformave: Përshpejtimi i reformave themelore, duke përfshirë grupin themelor, mbështetjen e rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

Asistenca Financiare: Kjo nismë propozon një instrument të ri me vlerë 6 miliardë euro, që përfshin 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare. Lëshimi i fondeve do të varet nga përmbushja e standardeve specifike socio-ekonomike dhe reformave themelore. /Nacionale/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit