Më shumë se 70 deputetë të Parlamentit Evropian kanë kërkuar dorëheqjen e Oliver Varhelyit, Komisionerit i cili javën e kaluar njoftoi në mënyrë mashtruese pezullimin e “të gjitha pagesave” ndaj autoriteteve palestineze.
Lëvizja befasuese e Varhelyit erdhi në ditët e para të luftës Izrael-Hamas dhe mori vëmendjen e mediave ndërkombëtare, me mediat që përcollën lajmin sikur Bashkimi Evropian të kishte ndalur të gjithë ndihmën e huaj, përfshirë fondet humanitare, në një kohë të vuajtjeve njerëzore në rritje në Rripin e Gazas.
“Nuk mund të vazhdohet sikur s’ka ndodhur gjë”, shkroi Varhelyi në X, shkruan “euronews”.
U deshën disa orë që Komisioni Evropian të sqaronte se fondet humanitare do të vazhdonin të rrjedhin ndërkohë që do të bëhet një “rishikim urgjent” për ndihmën për zhvillim që është caktuar, por që nuk është dhënë ende.
Komisioni më vonë pranoi se Varhelyi kishte vepruar me iniciativë personale dhe nuk kishte siguruar bekimin e Presidentes Ursula von der Leyen përpara se të publikonte mesazhet në internet.
Ekzekutivi tha se, pavarësisht reagimeve të shkaktuara nga fiaskoja e PR-it, Varhelyi nuk do të qortohej zyrtarisht ose nuk do të kufizohej qasja e tij në mediat sociale.
Disa ligjvënës kanë një mendim krejtësisht të ndryshëm.
Një koalicion ndërpartiak prej 73 eurodeputetësh që vijnë nga grupet socialiste, liberale, të gjelbra dhe të majta i dërguan të martën pasdite një letër presidentes von der Leyen duke denoncuar veprimet e Varhelyit dhe duke kërkuar largimin e tij të menjëhershëm.
“Komisioneri Varhelyi nuk kishte autoritet për të vendosur në mënyrë të njëanshme këtë (pezullim), dhe as për ta komunikuar zyrtarisht këtë në llogaritë e tij të mediave sociale pa u marrë ky vendim me një proces të rregullt”, shkruan ata.
Për të treguar pakënaqësinë e tyre, eurodeputetët evokuan episodin e diskutueshëm në mes të shkurtit, në të cilin Varhelyi u dëgjua duke pyetur, “Sa idiotë kanë mbetur ende?”, gjatë një sesioni pyetjesh dhe përgjigjesh me ligjvënësit për Ballkanin Perëndimor.