Mbi 60 mijë euro të ndara për subvencionim të librave iu dhanë prindërve të cilët nuk i kishin plotësuar kriteret. E kjo pasi nuk kishte ndonjë masë kontrolli. Madje sipas ekspertëve këto para iu dhanë prindërve që jetojnë jashtë vendit e nxënësve të cilët mësojnë në sistemin paralel serb.
Tash e tri vite, Ministria e udhëhequr nga Arbërie Nagavci ka vendosur që të subvencionojë prindërit për blerjen e librave shkollorë.
Por këto mjete të ndara nga MASHTI janë keqpërdorur nga një pjesë e prindërve gjatë vitit 2024.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, del që mbi 60 mijë euro janë dhënë si subvencion apo kanë aplikuar qytetarë të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për fëmijët e tyre.
E madje sipas ish zëvendësministrit të arsimit, Dukagjin Popovci kjo shumë është edhe më e lartë.
“Faktikisht, këto 60 mijë euro kanë të bëjnë me një numër të shkollave pasi po t’i hynin të gjitha shkollave, kjo shumë do të kishte dalë shumë më e madhe. Mendoj që këtë vit janë ndërmarrë masa për evitimin pasi shkollat konfirmojnë për secilin nëse fëmijët janë në shkollë apo jo. Sepse ai keqpërdorim ka të bëjë pikërisht me këto situata kur fëmija nuk është në shkollë, jeton ose jashtë vendit ose është në sistemin paralel serb e atëherë nuk ka pas kush me verifiku”, tha Popovci.
E gjithë kjo sipas ekspertit të arsimit, Rinor Qehaja ka ardhur si pasojë e mosverifikimit të aplikacioneve.
“Ka munguar verifikimi, është marrë i mirëqenë çdo aplikim që ka ndodhur nga prindërit nga nxënësit për subvencion të teksteve. Kjo për fat të mirë është korrigjuar dhe nga ky vit verifikimi bëhet nga koordinatorët në secilën shkollë për secilin nxënës”, tha Qehaja.
Edhe pse sipas ish zëvendësministrit, gjasa për keqpërdorim të mjeteve për blerjen e librave ende.
“Po prapë mundësi për keqpërdorime ka, pasi njerëzit mund të marrin librat por mos të blejnë libra, dhe besoj që këtë do ta tregojnë raportet e viteve të ardhshme”, tha Popovci.
Rreth këtyre keqpërdorimeve, ditë me parë ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, duke thënë se këto raste të izoluara të vitit të kaluar tashmë janë adresuar dhe janë duke u trajtuar nga organet përkatëse. /teve1.info/