20.1 C
New York
Friday, July 4, 2025

Buy now

Mbi 230 mijë euro paga për deputetët për as 2 orë seanca në total për 1 muaj

- Advertisement -

Kjo ka qenë koha më e madhe për çka e kanë shpenzuar të zgjedhurit e popullit, deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Që nga 15 prilli deri më 31 maj, janë mbledhur 24 herë, disa prej tyre edhe më pak sepse munguan në shumë seanca.

Kështu, televizioni Dukagjini ka kërkuar qasje në pagat e tyre në Kuvend, përmes Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Ky institucion i ka ofruar informacionet për periudhën 15 prill deri më 13 maj.

Pagat janë të majme. Me gjithë ankesat pas seancave se gjithçka është kthyer në absurditet, asnjëri prej 120 deputetëve nuk ka hequr dorë nga paga.

Për 16 paraqitje, që në total nuk janë as dy orë të plota brenda muajit maj, 1 orë e 40 minuta,  deputetët në total morën 230 mijë euro ose diku rreth 1860 euro secili.

Disa kanë shtesa të ndryshme bazuar në përvojë, por jo edhe mëditje.

Në bazë të të dhënave të ofruara nga Kuvendi i Kosovës, në listën e pagave të deputetëve nuk figurojnë edhe pagat e 17 deputetëve që janë pjesë e qeverisë, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilët kanë vendosur ta marrin pagën e kryeministrit, ministrit ose zv.ministrit.

Televizioni ka bërë kërkesë edhe në Qeveri për qasje në dokumente publike, për të parë pagat 17 zyrtarëve qeveritarë, që janë edhe deputetë, por ky institucion deri në publikim të kësaj kronike nuk i ka ofruar ato, pos që po e shqyrton rastin.

Ndërkohë, edhe në muajin prill, 48 deputetë të Kuvendit kishin marr pagën kalimtare, e që për ta ishin shpenzuar 95 mijë e 633 euro.

“Deputetët Haxhi Avdyli dhe Adriana Matoshi nuk kanë marrë pagë kalimtare për muajin prill, pasi sipas ATK-së kanë gjeneruar të hyra tjera. Gjithashtu u është bërë ndalesë paga kalimtare e realizuar në muajin mars 2025 dhe atë nga data 22 mars 2025. Kurse, ish- kryetari Konjufca dhe ish-nënkryetarët, përveç pagës bazë për muajin prill, janë paguar edhe për mbajtjen e funksioneve drejtuese. Deri më 15 prill, kryetari dhe nënkryetarët kanë vazhduar të marrin pagën e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, meqë të njëjtit kanë realizuar shtesë transitore, të njëjtën e kanë realizuar deri më datë 15 prill 2025, ndërsa nga 16 prilli kanë realizuar pagën e deputetit të Kuvendit. Ndërkaq, nga paga e muajit maj, ish-nënkryetarëve Enver Hoxhaj dhe Kujtim Shala, u është ndaluar pagesa në vlerë prej 189.94 euro, pasi gjatë periudhës 15 prill deri më 19 prill, nuk kanë ofruar dëshmi me shkrim se nuk gjenerojnë të hyra tjera financiare”

Më 30 qershor janë ekzekutuar edhe pagat e këtij muaji, që rrjedhimisht edhe mbi 230 mijë euro të tjera, janë shpenzuar për deputetët që për çdo 48 ore, mblidhen për të vazhduar seancën konstituive por që nuk po ia dalin të e çojnë në fund.

Kështu, në total që nga 15 prilli deri më 30 qershor, buxhetit të shtetit, pagat e deputetëve, pa 17 anëtarët e Qeverisë, i kushtuan mbi gjysmë milioni euro, ose 555 mijë e 633 euro.

Të ngjashme

Të fundit