Numri i gazetarëve të vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës në vitin 2023 ka arritur në 232, sipas një deklarate të lëshuar sot nga Zyra për Media e Qeverisë së Gazës. Viktima më e fundit është fotoreporteri palestinez, Adam Abu Harbid, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës së tij për të dokumentuar zhvillimet në terren.
Në deklaratën e publikuar në platformën Telegram, Zyra për Media e dënoi ashpër vrasjen e gazetarëve, duke e cilësuar atë si një fushatë të organizuar dhe të qëllimshme nga forcat izraelite për të heshtur zërat mediatikë palestinezë dhe për të penguar shpërndarjen e informacionit nga zona e konfliktit.
“Zyra për Media dënon në mënyrën më të ashpër vrasjen sistematike të gazetarëve palestinezë dhe vendosjen e tyre në shënjestër nga ana e okupatorit izraelit. Kjo përbën një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të Konventave të Gjenevës, që garantojnë mbrojtjen e gazetarëve në zonat e luftës”, thuhet në deklaratë.
Zyra shton se vrasjet e gazetarëve nuk janë thjesht pasoja të luftës, por përfaqësojnë, sipas tyre, një strategji të qëllimshme për të fshehur të vërtetën dhe për të penguar dokumentimin e ngjarjeve që po ndodhin në Gazë.