residenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, ka bërë të ditur se mbi 214 mijë ndërtesa janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmetet shkatërruese të muajit të kaluar në jug të vendit.
Erdogan theksoi se sapo të përfundojnë vlerësimet e dëmeve, do të njoftohet edhe numri i ndërtesave të reja të banimit dhe shtëpive që do të ndërtohen në qytetet e prekura nga tërmeti, raporton AA.
“Deri në këtë moment, ne kemi përcaktuar 608 mijë sektorë të pavarur në 214 mijë ndërtesa që janë shembur ose janë dëmtuar rëndë dhe do të rrëzohen”, tha presidenti Erdogan në një takim në Stamboll me zyrtarë të lartë të vendit.
Ai po ashtu njoftoi se ndërtesat e reja nuk do të jenë shumë të larta.
“Ne synojmë t’i ringjallim qytetet tona të lashta duke i mbajtur gjallë asetet tona historike dhe kulturore dhe gjithashtu do t’i përforcojmë ato kundër fatkeqësive”, tha Erdogan.
Si pasojë e dy tërmeteve të 6 shkurtit me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë me qendër në Kahramanmaraş, humbën jetën mbi 45 mijë njerëz, ndërsa u prekën mbi 13 milionë njerëz në 11 provinca, përfshirë provincat Hatay, Adana, Gaziantep, Diyarbakır, Adımayan, Malatya, Kilis, Osmaniye, Elazığ dhe Şanlıurfa.