Biznesi i moteleve në Kosovë po shihet si mjaft fitimprurës nga personat që merren me afarizëm ose duan të nisin këtë aktivitet.
Në Kosovë aktualisht janë të regjistruara 199 motele, ndërsa vetëm në periudhën janar-nëntor të vitit 2021, janë regjistruar 18 motele si biznese të reja në vend, shkruan lajmi.net.
Motelet në Kosovë gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për të vazhduar veprimtaritë e tyre, pasi që gëzojnë një numër të madh të vizitorëve.
Agjencia e Statistikave të Kosovës përpunon të dhënat statistikore në baza tre mujore, ndërsa për periudhën shtator-dhjetor, raporti publikohet zakonisht në muajin janar.
Në bazë të të dhënave nga ASK-ja për periudhën janar-shtator të vitit 2021, rezulton se mbi 200 mijë vizitorë kanë realizuar buajtje në strukturat akomoduese të Kosovës.
“Departamenti i Turizmit krijon politika duke përdorur statistikat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si të dhëna zyrtare. ASK publikon të dhënat në periudhë tre mujore. Deri tani kemi raportet TM1, TM2 dhe TM3, rrjedhimisht Janar-Shtator, ndërsa për pjesën e mbetur të vitit raporti përgatitet dhe publikohet në janar. Në bazë të përpunimit të të dhënave të realizuara nga Departamenti i Turizmit për periudhën Janar -Shtator 2021 rezultojnë 211.118 vizitorë (vendor dhe te jashtëm) që kanë realizuar buajtje në strukturat akomoduese të Kosovës dhe 353 258 buajtje”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për lajmi.net.
Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se të dhënat përfshijnë në tërësi të gjitha strukturat akomoduese, pasi që nuk ekzistojnë të dhëna vetëm për motelet.