Home Lajme Ekonomi Mbi 200 mijë familje përfituese dhe mbi 88 milionë euro të kursyera në import të energjisë

Mbi 200 mijë familje përfituese dhe mbi 88 milionë euro të kursyera në import të energjisë

0
Mbi 200 mijë familje përfituese dhe mbi 88 milionë euro të kursyera në import të energjisë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Shefi i Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog kanë mbajtur sot një konferencë për media lidhur me përmbylljen e suksesshme të masës për kursimin e energjisë.

Ministri Murati u shpreh se mjetet për zbatimin e kësaj mase për periudhën shtator – nëntor janë alokuar nga buxheti i shtetit, ndërsa pas diskutimeve me Bashkimin Evropian, periudha dhjetor – mars, në vlerë prej 15 milionë euro, është mbuluar nga Pakoja mbështetëse e BE-së.

Tutje, Ministri tha se zbatimi i masës për kursimin e energjisë i ka kursyer buxhetit të shtetit mbi 88 milionë euro, nëse krahasojmë shpenzimin e energjisë për periudhën mbështetëse me shpenzimin e energjisë në periudhën e njejtë të vitit paraprak.

Në anën tjetër, Shefi i Zyres së BE-së, z. Szunyog tha se suksesi i jashtëzakonshëm i kësaj mase të Qeverisë ka shtyer BE-në që në kuadër të pakos mbështetëse të energjisë, të subvencionoj një pjesë të zbatimit të kësaj mase. Ambasadori gjithashtu shprehu përkushtimin e BE-së në mbështetjen e Kosovës drejt dekarbonizimit dhe energjisë efiçiente.

Në kuadër të masës për kursimin e energjisë elektrike janë mbështetur rreth 200 mijë familje në muaj, ndërsa përmbyllja e zbatimit të saj përkon me përmbylljen e sezonit dimëror.

Qeveria e Republikës së Kosovës së shpejti do të njoftoj publikun lidhur me masat e reja që synojnë subvencionimin e energjisë elektrike për familjet.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me Programin e Qeverisë, mbetet e përkushtuar në zbatimin e politikave që synojnë ngritjen e mirëqenies qytetare në vend.

Exit mobile version