17.3 C
New York
Tuesday, October 8, 2024

Buy now

Mbi 20 mijë: Qysh u rrit gjatë tre vjetëve numri i vizave të punës në Gjermani për kosovarët?

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimës ka deklaruar se ka më shumë njerëz që po kthehen në vendlindje, derisa zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, kishte thënë se “vetëm gjyshet po dalin e po shkojnë te nipat”.

Megjithatë, para pak ditësh, ambasadori gjerman u bëri me dije se nuk qëndron puna kështu. Ai qartë tha se shifrat e vizave të lëshuara janë të larta.

“Dhe,do të doja të thoja, nëse BE-ja nuk zgjerohet te Ballkani Perëndimor, qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të shpërngulen në BE…Dhe nëse i shikoj numrat e vizave tona, janë po aq të lartë sa viteve të kaluara. Kjo nuk është e mirë për rajonin. Kjo shkon për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor” – u shpreh Rohde, transmeton Nacionale.

Statistikat

Nuk dihet se sa ka ndikuar liberalizimi i vizave, pasi shifrat e këtij viti nuk publikohen deri në fillim të vitit 2025, por të dhënat e shtetit gjerman tregojnë trend të rritjes së lëshimit të vizave.

Nga statistikat në faqen zyrtare të Zyrës së Jashtme Federale, del se në vitin 2021 Gjermania ka lëshuar 16 mijë e 826 viza Schengen në Kosovë, kryesisht për turizëm, biznes apo qëllime të tjera.

Në vitin 2022, ky numër është rritur në 48 mijë e 937. Gjatë 2023-tës ndërkaq, janë lëshuar 56 mijë e 194 viza Schengen.

Përgjatë këtyre tre vjetëve, vërehet rritje e madhe edhe te vizat e punës dhe ato të bashkimit familjar.

Në vitin 2021, Gjermania ka lëshuar 4 mijë e 442 viza pune për qytetarët kosovarë dhe mbi shtatë mijë për bashkim familjar.

Vizat e punës janë dyshifruar në 2022, me 9 mijë e 309 sosh të lëshuara.

Shifrat e larta qëndrojnë edhe gjatë 2023-tës. 8 mijë e 932 kosovarë kanë marrë vizë pune në Gjermani gjatë atij viti.

“Duam punë”

Ndërkohë, pikërisht të martën, shefi i Qeverisë së Kosovës tha se janë hapur 75 mijë vende pune. Ai theksoi një hollësi, ku, sipas tij, gjatë qeverisjes së tij tashmë gati katërvjeçare, nuk pati protesta me sloganet “duam punë”.

“Jemi Qeveria e parë në Kosovën e pasluftës ku nuk ka pasë asnjë protestë të vetme në të cilën figuron parulla “Duam punë”. “Duam paga më të larta” – sigurisht. “Kushte më të dinjitetshme të punës” – pa dyshim, por “Duam punë” nuk ka më parulla. Dhe kjo besoj që është pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës në 425 mijë, nga 350 mijë sa ishin në pranverën e vitit 2021” – tha sot Kurti në Konferencën për Turizëm të Qëndrueshëm.

Sidoqoftë, slogani “Duam Punë” qëndron për kosovarët që kanë fituar viza e vende të punës në shtetin gjerman.

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 e kanë fituar të drejtën për të udhëtuar në vendet e zonës Schengen, megjithatë, jo edhe për të punuar atje.

Në vazhdimësi, janë ngritur shqetësime se një gjë e tillë mund të ndikojë edhe më shumë në ikjen e qytetarëve. Megjithatë, kjo situatë nuk i ishte dukur shumë serioze zëvendëskryeministrit Bislimi, i cili kishte deklaruar se “gjyshet po shkojnë te nipat”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit