Lajme

Mbi 20 mësimdhënës jashtë listës së pagave në Fushë Kosovë

By GAZETA SCANNER 1

October 29, 2023

Këtë vit jo, mirëpo në vazhdimësi fillimi shkollor i planifikuar të nis më 1 shtator ka nisur me ditë e besa edhe me muaj vonës. Kjo për shkakun që mësimdhënësit kanë grevuar duke kërkuar rritje page.

Mirëpo, ka të atillë që nuk arrijnë që të marrin as edhe një cent për punën e tyre si mësimdhënës.

Mbi 20 prej tyre në Komunën e Fushë Kosovës janë që nuk përfshihen në listën e pagave.

Nga qendra e SBASHK-ut në Fushë Kosovë i kanë treguar Dukagjinit se të tillë numërohen 24.

Sipas kryetarit të kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, mësimdhënësit nuk kanë ngritur zërin ngase kanë një tjetër hall.

“Ka pasur raste kur kolegët e mi me muaj të tërë kanë punuar pa të holla. Ata shpesh nuk e kanë ngritur zërin duke shpresuar se do të bëhet mirë e duke pasur një stres se nëse flasin, ata mund të i pushojnë fare nga vendi i punës. Kjo heshtje ja ndodhur me shpresën se DKA dhe niveli qendror do ua bëjnë një zgjidhje”, ka thënë Rrahman Jashari, Kryetar i SBASHK-ut.

Si zgjidhje, Jasharaj konsideron largimin e kufizimit të numrit të punonjësve.

Nga SBASHK-u i kanë thënë televizionit se nuk kanë informacione nëse mësimdhënësve i janë kompensuar paratë.

Ish-drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Samir Shahini vlerëson se komuna kishte bërë më shumë presion në të kaluarën, gjë që sipas tij, duhet të vazhdojë.

“Në disa komuna është alarmate me numrin e mësimdhënësve te punësuar. E tille ka qene edhe ne Fushe Kosove mirëpo ka pasur presion te jashtëzakonshëm për me shume se një vit qe është bere ne drejtim te Ministrisë se Arsimit dhe është arrit diku shtimi mbi 150 vende te reja te punës sa kam qene ne drejtori. Kjo duhet përcjell vit pas viti, te behet presion nga komuna”, ka shtuar Samir Shahini, ish-drejtor i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës.

Një problem të ngjashme vitin e kaluar e kishte edhe Komuna e Mitrovicës por që i njëjti, tashmë nuk është evident.

“Në raportin e auditorëve për vitin 2021(mandati qeverisës i ish kryetarit Bahriri) kanë qenë 65 mësimdhënës jashtë listave të pagave të cilët nuk janë prefsh për shkak se nuk kanë kaluar nëpër konkurse. Në mars të vitit 2022 ( mandat qeverisës i kryetarit Hamza), e kemi shpallë konkursin, dhe janë rekrutuar mësimdhënësit. Procesi i këtij konkursi ka qenë i rregullt dhe të gjithë janë përfshi në lista të rrogave dhe nuk kemi mësimdhënës jashtë listave të pagave”, ka thënë Drita Kadriu, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës.

Numri i mësimdhënësve jashtë listës së pagave është konfirmuar edhe nga Drejtoria e Arsimit në Fushë Kosovë. Nga ta kanë thënë se Kuvendi Komunal ka siguruar mjetet për ti paguar pagat dhe se gjetja e një forme pagese me MAPL-në mbetet në proces.

Televizioni ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Arsimit por nga e njëjta, nuk ka marrë ende përgjigje.

Siç mëson Dukagjini, mësimdhënësve jashtë listave të pagave u është thënë të presin deri në janar, përkatësisht deri në miratimin e buxhetit për vitin 2024.

Komuna në vitin 2021, kishte angazhuar 53 punonjës jashtë numrit të planifikuar me buxhet në drejtorinë e arsimit. Sipas raportit të Zyrës Kombëtare për Auditim, punonjësit nuk ishin përfshirë në listën e pagave. Ndërsa në vitin 2022, komuna kishte angazhuar 160 punonjës jashtë listës së pagave.