Sokol Mehmetaj, sekretar organizativ i AAK-së për diasporë, ka shprehur shqetësime serioze lidhur me mënyrën se si po transportohen votat nga Cyrihu i Zvicrës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në një postim në Facebook, Mehmetaj theksoi se votat po transportohen në mënyrë të rrezikshme për një periudhë prej të paktën tre ditësh, duke rritur rreziqet e manipulimit dhe duke goditur besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Si mund të sigurohemi që këto vota, të ruajtura në një automjet në tranzit, të mos manipulohen ose ndryshohen gjatë këtij udhëtimi të gjatë? Rreziku i mashtrimit është i lartë dhe kjo vë seriozisht në pikëpyetje besimin e publikut në procesin zgjedhor,” shkroi Mehmetaj.
Ai vuri në dukje se Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka zgjedhur një transport rrugor të rrezikshëm, ndërsa opsionet më të sigurta dhe më të shpejta, si transporti ajror, ishin plotësisht të realizueshme.
“Transporti ajror jo vetëm që do të kishte siguruar shpërndarje më të shpejtë, por edhe siguri më të mirë të votave, duke ulur ndjeshëm mundësitë e manipulimit,” shtoi ai.
Mehmetaj vazhdoi duke shpjeguar se në mëngjesin e 3 janarit 2025, fletëvotimet u morën nga posta, u numëruan dhe u çuan në konsullatën e Kosovës në Cyrih.
Gjatë këtij procesi, ishin të pranishëm komisionerë nga të gjitha partitë për të garantuar transparencën. Megjithatë, u informua se 15,483 vota do të transportoheshin me një autobus me targë diplomatike shqiptare (CD-55 27A), i shoqëruar nga një shofer dhe ndihmësi i tij, në një udhëtim disa-ditor që përfshinte qytete si Shtutgart, Vjenë, Zagreb, Lubjanë dhe Prishtinë.
“Është krejtësisht e papranueshme që këto vota të transportohen në mënyrë kaq të rrezikshme për një periudhë prej të paktën tre ditësh. Kjo jo vetëm që rrit rreziqet fizike për votat, por edhe vë në dyshim transparencën e procesit zgjedhor,” shkroi Mehmetaj.
Ai kritikoi ashpër KQZ-në për dështimin e saj në garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
“KQZ ka dështuar në misionin e saj për të siguruar një proces të sigurt dhe transparent. Siguria e votimit duhet të jetë prioriteti kryesor, dhe është e domosdoshme që në të ardhmen të merren masa më rigoroze për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate,” theksoi ai.
Në përfundim, Mehmetaj kërkoi nga KQZ të ndërmerrë masa të menjëhershme për të përmirësuar organizimin e transportit të votave dhe për të rivendosur besimin e qytetarëve në sistemin zgjedhor.
“Mungesa e ashpërsisë në këtë rast nuk është e pranueshme. Shpresoj që do të ndërmerren veprime konkrete për të rikthyer besimin e qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve,” përfundoi ai.