Pas ngjarjes së 24 shtatorit kur u sulmua policia e Kosovës nga një grup terrorist, imazhi i Listës Serbe është dëmtuar rëndë. Kjo, pasi që përgjegjësinë për sulmin e morri zëvendëskryetari i kësaj partie, Milan Radojçiq, tashmë i dorëhequr.
Për më tepër zhvillimet e asaj dite ndikuan që kjo parti të bëjë ndryshime edhe brenda kryesisë, duke e zgjedhur për kryetar të ri, Zllatan Eke, i cili njëherësh është edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.
Aktivisti i shoqërisë civile nga organizata AKTIV, Igor Markoviq, thotë se banorët lokal serbë janë të zhgënjyer nga kjo parti dhe sipas tij ndryshimet janë të domosdoshme në veriun e vendit.
Ai ka kritikuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me arsyen se nuk po e mbështet mjaftueshëm komunitetin serb në Kosovë.
“Fillimisht duhet thënë se mbështetja për Listën Serbe ka rënë që kur u larguan barrikadat gjatë vitit të kaluar të cilat i kishin vendosur banorët lokal si shenjë revolte ndaj politikave të kryeministrit, Albin Kurti. Qytetarët serbë që në atë periudhë e kuptuan se nuk e kanë mbështetjen e plotë nga Lista Serbe. Një arsye tjetër për zhgënjimin e qytetareve me Listën Serbe ka të bëjë me faktin se në protestat e organizuara në veri ata nuk kanë marrë pjesë për t’u solidarizuar me qytetarët. Ndërkaq, pas asaj çfarë ndodhi më 24 shtator konsideroj se ndryshimet janë të domosdoshme dhe besoj se qytetarët do të kërkojnë alternativa të tjera politike. Por duhet thënë se siç jemi të zhgënjyer me Listën Serbe ashtu jemi edhe kryeministrin Kurti, i cili asnjëherë nuk e morri mundin të flas me ne siç kishte premtuar”, ka thënë Markoviq.
Edhe profesori Seb Bytyçi konsideron se në veri të vendit duhet ketë më shumë pluralizëm politik.
Ai thotë se Lista Serbe ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj qytetarëve serbë në veriun e vendit.
Kujtojmë që Lista Serbe e ka mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar dhe se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje vazhdimisht komunitetit serb në Kosovë që ta mbështesin këtë parti.