Mbështetja e ekspozitës me të dhëna nga Serbia, Kuvendit i kërkohet përgjegjësi politike: Të bëhet publike shuma e parave

- Advertisement -

Kuvendi të Kosovës i është kërkuar llogaridhënie për mbështetjen e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ka shtrembëruar të vërteten për shumë masakra që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Politikanë, deputetë e analistë të ndryshëm nuk e kanë pranuar reagimin e djeshëm të Kuvendit.

Ata kanë thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të jap përgjegjësi politike dhe institucionale për këtë mbështetja.

Ndër të paret që e ka kërkuar këtë përgjegjësi ka qenë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se përmbajtja e asaj ekspozite përdhos kujtesën kolektive të popullit të Kosovës.

“Jo në Prishtinë ❌. Kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze që përdhos dinjitetin e qytetarëve dhe fyen kujtesën kolektive të popullit tonë”, ka shkruar ai.

Edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili është i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, e ka kritikuar edhe Kuvendin e Kosovës që e ka mbështetur këtë ekspozitë.

Dhe kjo ekspozite e financuar nga Kuvendi i Kosovës me këso të pavërteta e mashtrime, ku në këtë Kuvend të Kosovës kemi mbajtur fjalime e nxjerrë rezolutë për Masakrën në Burgun e Dubravës, e të lejohet e financohet në emër të Kuvendit kjo ekspozitë është krim duke vrarë bashkë me autorin dhe njëherë të burgosurit e burgut të Dubravës dhe shkelur gjakun e të vrarëve në këtë burg nga institucionet e shtetit të Serbisë. Për këtë krim të qëllimshëm nga autori i këtij shkrimi e ekspozite, kërkoj nga institucionet e drejtësisë gjykim e dënim për këtë krim monstruoz”, ka shkruar ai.

Kurse, analisti Burim Ramadani ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të tregojë sa para ka dhënë për këtë ekspozitë.

“Sa para i dha pushteti kësaj ekspozite me të dhëna nga Serbia? Pse s’po e bëni publike shumën e parave të buxhetit që pushteti i dha ekspozitës që doli të jetë Luftë Hibride për shtrembërimin e të vërtetës së Kosovës? Lufta Hibride e ka një prej qëllimeve kryesore shtrembërimin e të vërtetës së Kosovës. Kjo luftë speciale nuk u ndalë kurrë! JO ME TAKSA TË MIA!”, ka shkruar ai.

Reagimi i Kuvendit

Pas kritikave të shumta, ka reaguar edhe Kuvendi i Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Kuvendi e pranuar se e ka mbështetur financiarisht këtë ekspozitë.

Në reagimin e kuvendit është thënë se përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve.

“Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, është thënë në reagimin e Kuvendit.

Të ngjashme

Të fundit