-5.2 C
New York
Monday, January 20, 2025

Buy now

Mbështetësit e pretendimeve për manipulim të votës, humbin në garat për poste zyrtarësh të zgjedhjeve

- Advertisement -

Një grup kandidatësh për poste kryesore zgjedhore në votimet e së martës në Shtetet e Bashkuara, që kishin përqafuar teori konspiracioni, i humbën garat pas muajsh paralajmërimesh nga ekspertët e zgjedhjeve dhe demokratët se fitorja e tyre mund të kërcënonte vetë demokracinë amerikane.

Humbja e fundit ishte ajo e republikanit Jim Marchant në Nevada, i cili ndihmoi në organizimin e kandidatëve nën sloganin “Amerika e Para” të ish-presidentit Donald Trump dhe që ishte në garë për t’u bërë zyrtari më i lartë zgjedhor i shtetit përballë demokratit Cisco Aguilar.

Zoti Marchant dhe kandidatë të tjerë që si u bënë jehonë pretendimeve të rreme të ish-presidentit Donald Trump se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara dhe kishin premtuar se do të ndreqnin mekanizmin e votimit në shtetet kryesore si Miçigan, Pensilvania dhe Arizona për të përgatitur terrenin drejt vitit 2024, kur zoti Trump pritet të kandidojë përsëri për Shtëpinë e Bardhë.

Humbjet e tyre ishin një sinjal që votuesit i refuzuan prirjet antidemokratike në zgjedhjet e ngushta të mesit të mandatit.

Demokratët e Presidentit Joe Biden gjithashtu ruajtën shumicën në Senat me fitoren në shtetin e Nevadës, ndërsa zyrtarët vazhdojnë të numërojnë fletëvotimet në 20 gara që do të përcaktojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Por “vala e kuqe” që republikanët kishin pritur t’u jepte shumicë të gjerë në Kongres dhe t’u forconte pozitat për të ndikuar në rezultatin e garës për Shtëpinë e Bardhë të vitit 2024, nuk u materializua.

Në një intervistë, zoti Aguilar tha se fitorja e tij dëshmoi se amerikanët e kishin humbur durimin me mohimin e rezultatit të zgjedhjeve, dy vjet pas humbjes së zotit Trump.

“Mendoj se tregoi gjithashtu se votuesit janë të lodhur nga kaosi dhe kaosi nuk funksionon,” tha ai. Zoti Marchant nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Në shtetet vendimtare të Arizonës, Nevadës dhe Miçiganit, kandidatët e lëvizjes “Amerika e Para” ishin propozuar për postet e sekretarit të shtetit, posti që mbikëqyr zgjedhjet në shtete.

Pjesëmarrja e tyre tërhoqi një nivel të pazakontë vëmendjeje dhe shpenzimesh për garat, të cilave historikisht nuk u është kushtuar shumë vëmendje politike në krahasim me betejat për Kongresin dhe qeveritë.

Të gjithë ata kandidatë humbën por asnjë nuk e ka pranuar publikisht humbjen.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se partia e tij fitoi sepse votuesit ishin të alarmuar nga mohimi i zgjedhjeve dhe retorika e dhunshme politike e disa republikanëve.

“Ne ishim shumë pranë autokracisë dhe falë Zotit populli amerikan e shmangu rrezikun,” tha zoti Schumer në një konferencë shtypi të dielën.

Në Pensilvani, ku guvernatori emëron sekretarin e shtetit, kandidati republikan për guvernator ishte Doug Mastriano, i cili ndihmoi në organizimin e transportit të mbështetësve të ish-presidentit Trump për në Uashington për protestat e 6 janarit 2021, që u kthyen në një sulm ndaj Kapitolit. Ai ishte shprehur se nuk do t’i kishte certifikuar rezultatet e zgedhjeve të vitit 2020. Ai humbi bindshëm ndaj prokurorit të përgjithshëm demokrat, Josh Shapiro.

I vetmi kandidat me këto bindje që fitoi në garë për Sekretarin e Shtetit të martën ishte Diego Morales në Indiana ku republikanët kanë një shumicë të konsiderueshme.

Mohuesit e rezultateteve të zgjedhjeve vazhdimisht dolën pas kandidatëve të tjerë republikanë në gjithë vendin, sipas Qendrës Brennan për Drejtësi të Universitetit të Nju Jorkut.

“Kjo tregon se amerikanët e kuptuan rrezikun dhe janë pa mëdyshje në anën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” thotë Lawrence Norden, drejtori i programit për zgjedhjet dhe qeverisjen në Qendrën Brennan.

Frika për dhunë politike – e nxitur nga një rritje e kërcënimeve ndaj punonjësve të zgjedhjeve dhe vëzhguesve të armatosur në kutitë e votimit – ka rezultuar gjithashtu pa bazë, të paktën deri tani.

Megjithatë, shumë republikanë mohues të zgjedhjeve fituan gara të tjera në mbarë vendin.

Gënjeshtrat e zotit Trump për zgjedhjet e 2020 kanë depërtuar në bazën republikane, duke bërë që shumë kandidatë ose të refuzojnë të hedhin poshtë pretendimet e tij ose t’i përqafojnë ato. Një sondazh i Reuters/Ipsos ka treguar se rreth dy të tretat e votuesve republikanë besojnë se zgjedhjet janë vjedhur nga zoti Trump.

Përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit një analizë e gazetës Washington Post arriti në përfundimin se më shumë se gjysma e kandidatëve republikanë për Dhomën e Përfaqësuesve, Senatin dhe poste kryesore në mbarë vendin kishin vënë në pikëpyetje rezultatin e vitit 2020.

Shumë prej atyre kandidatëve gjetën sukses të martën, veçanërisht në zonat më bindshëm republikane.

Në fjalimet gjatë fushatës këtë vjeshtë, zoti Biden i paralajmëroi vazhdimisht qytetarët se po hidhnin votën për vetë demokracinë.

Ai u tha gazetarëve gjatë një vizite në Kamboxhia se partia opozitare kishte arritur një pikë kthese: “Unë mendoj se Partisë Republikane, ashtu siç kanë bërë partitë tona në të kaluarën, do t’i duhet të vendosë se çfarë lloj force politike është.” /VOA/

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit