Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjen e dëshmorit Hakif Zejnullahu, ku është pritur nga anëtarë të familjes dhe të afërm.
Ish-deputetja dhe mbesa e heroit të kombit, Floreta Zejnullahu, duke folur në emër të familjes, e falënderoi Kurtin për vizitën, por njëkohësisht shprehu dhimbjen dhe shqetësimin e familjes për situatën me të cilën po përballen ish-pjesëtarët e UÇK-së në Hagë.
“I nderuar Kryeministër, të nderuar kolegë, deputetë, bashkëluftëtarë të babit, të axhës Zahir, miq, shokë. Ju falënderoj shumë për vizitën, respektin që i bëni heronjve. Sot për neve është ditë krenarie, ditë dhimbje, janë ndjenja të përziera këto. Po unë në emër të familjes edhe të nanës, ju falënderoj për vizitën edhe për respektin.
“Të gjithë shokëve edhe bashkëluftëtarëve të axhës që janë sot këtu, faleminderit shumë për vizitën edhe për respektin që bëni. Në emër të familjes po e shfrytëzoj rastin edhe me ju falënderu, po edhe me ju lut, tek ky konak, ku që për neve si familje, them të drejtën është edhe tragjedi kur i shohim bashkëluftëtarët e axhës tim edhe të Zahirit që sot përballen me padrejtësinë atje.
“Edhe që… ish dashtë ndoshta secili prej neve, po edhe ma shumë ju si institucione me bo gjithçka… të pamundurën me e bo të mundur! Bëni gjithçka për ta, që të kthehen faqebardhë prej atij procesi, të kryhet sa më shpejt ai proces.
“Unë uroj që kjo ka me u kry sa më shpejt edhe kanë me dalë sa më mirë, po unë po i përsëris disa fjalë të gjyshit që i thoshte para se me vdek: thojke ‘sytë çelë kanë me m’mbet derisa t’i shoh ata burra që kanë dalë prej atje, se m’duket që është djali jem atje’. Kështu që unë ju falënderoj shumë edhe njëherë dhe uroj që ky proces të kryhet sa më shpejt. Faleminderit shumë”, tha Floreta Zejnullahu, transmeton Klankosova.tv /Klankosova.tv






