Real Madridi pati një fillim të mirë në ndeshjen ndaj Alaves duke kaluar në epërsi, por vetëm disa minuta më vonë, situata ndryshoi plotësisht: skuadra e Carlo Ancelottit tashmë është me 10 lojtarë në fushë në stadiumin Mendizorroza.
Ancelotti vendosi të bëjë rotacion të thellë për këtë përballje, duke lënë në stol emra si Jude Bellingham dhe Vinicius Junior, për ta ruajtur freskinë meqë i pret ndeshja vendimtare e kthimit ndaj Arsenalit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve të mërkurën. Megjithatë, mungesa e tyre nuk u ndje në fillim, pasi Real Madridi kaloi shpejt në avantazh me golin e Eduardo Camavingas.
Por më pak se 10 minuta më vonë, gjërat morën kthesë negative për “Los Blancos”. Kylian Mbappe është përjashtuar me karton të kuq direkt nga gjyqtari Cesar Soto Grado pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Antonio Blancos, ish-lojtarit të Realit dhe aktualisht pjesë e Alavesit.
Kjo përjashtim jo vetëm që e vendos Realin në një pozitë të vështirë për pjesën e mbetur të ndeshjes, por gjithashtu ngre pikëpyetje për disponueshmërinë e Mbappé për ndeshjet e ardhshme, veçanërisht nëse përjashtimi sjell pezullim për ndeshje të tjera.