Kylian Mbappe përjetoi një mbrëmje të veçantë në “Santiago Bernabeu”, teksa Real Madridi triumfoi 2-0 ndaj Sevillas në ndeshjen e fundit për vitin 2025. Sulmuesi francez realizoi golin e dytë nga pika e bardhë në minutat e fundit, duke shënuar golin e tij të 59-të për këtë vit kalendarik dhe duke barazuar rekordin e Cristiano Ronaldos të vendosur në vitin 2013.
Edhe pse nuk ishte një paraqitje nga më të mirat për Mbappen, përballë një mbrojtjeje të organizuar mirë të Sevillas, goli rezultoi vendimtar dhe historik. Pas ndeshjes, ai u shpreh i emocionuar për arritjen dhe për faktin se barazoi rekordin e idhullit të tij.
“Është një ditë shumë speciale. Është ditëlindja ime dhe që fëmijë kam ëndërruar të luaj një ndeshje profesionale në këtë ditë, e aq më tepër me Real Madridin, klubin e ëndrrave të mia. Rekordi është i pabesueshëm, sidomos ta arrish në sezonin e parë dhe të barazosh idhullin tim, më të mirin në historinë e Real Madridit”, deklaroi Mbappe.
Francezi shpjegoi gjithashtu se festimi i tij ishte një dedikim për Ronaldon, me të cilin ka një marrëdhënie shumë të mirë dhe komunikim të vazhdueshëm që nga ardhja e tij në Madrid.
Në fund, Mbappe nuk harroi as tifozët e “Los Blancos”, duke i falënderuar për mbështetjen e pandërprerë.
“Tifozët e Real Madridit, në Bernabeu dhe kudo në botë, kanë qenë gjithmonë me ne. Ne do të japim gjithçka për këtë stemë dhe për historinë e madhe të këtij klubi”, përfundoi ai.






