Për debatin e zhvilluar ditëve të fundit rreth mundësisë së mbajtjeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë, ka reaguar edhe këshilltari politik i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj.
Ai, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë të ditur se për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme qeveria dhe partitë opozitare mund të fillojnë bisedimet dhe të merren vesh, teksa sqaroi se në zgjedhje shkohet me shpërndarje të Kuvendit me 2/3 e votave.
“Në vitin e fundit të mandatit natyrisht që duhet të mendohet për datën e zgjedhjeve të ardhshme. Data e rregullt e zgjedhjeve është në dimrin e vitit 2025. Stina më të përshtatshme për zgjedhje janë pranvera dhe vjeshta, jo dimri. Andaj qeveria dhe opozita mund të fillojnë bisedimet dhe të merren vesh. Në zgjedhje shkohet me shpërndarje të Kuvendit me 2/3 e votave”, ka shkruar Zulfaj.
Ai më tej shtoi se për mundësinë e rrëzimit të qeverisë me mocion mosbesimi është çështje e brendshme e opozitës nëse duan ta provojnë.
“Sa për rrëzim qeverie me mocion mosbesimi, kjo është çështje e brendshme e opozitës a duan ta provojnë. Kryeministri Kurti po prezanton të arriturat impresive në këto tre vjet, punë e suksese, jo dorëheqje a dorëzim. Edhe njëherë: 50% e qytetarëve, pa mërgatën, janë të kënaqur me Kryeministrin”, ka shkruar në fund Zulfaj.