Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm zhvilloi një takim me grupin punues së bashku me përfaqësues të donatorëve në zbatimin e Arsimit dhe Aftësimit profesional në Kosovë.
Kryeministri Kurti cilësoi se gjatë tre viteve të qeverisjes është theksuar vazhdimisht rëndësia lidhjes së arsimit me ekonomi dhe të arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës. Tashmë kur gjendemi në vitin e dytë akademik të zbatimit të arsimit dual, janë gjithsej 12 profile në 23 shkolla profesionale në 14 komuna të Kosovës në të cilat janë të përfshirë 920 nxënës.
“Arsimi dhe Aftësimi Profesional janë themelore për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pajisja e fuqisë punëtore me aftësi praktike dhe të përshtatshme na lejon të adresojmë drejtpërdrejt hendekun e aftësive në industritë kyçe, duke çuar në rritjen e produktivitetit, inovacionit dhe të konkurrencës në tregjet lokale dhe globale” u shpreh ai.
Në kuadër të zbatimit të sistemit dual, kryeministri njoftoi se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë punuar me përkushtim për të bërë reformat e nevojshme për të lidhur arsimin me nevojat aktuale dhe ato të ardhshme të tregut. Po ashtu në bashkëpunim me donatorë sikurse GIZ, ADA, SDC, USAID, LuxDev, KfW dhe BE, janë kryer sondazhe dhe hulumtime për të identifikuar nevojat dhe për të përcaktuar mënyrat më të mira se si t’i plotësojmë ato.
Gjatë kësaj punëtorie, akterët e përfshirë diskutuan përpilimin e standardeve të reja për profilet e mësimit dual, bazuar në propozimet e MINT-it dhe kërkesat e tregut të punës. Çështje tjetër ishte edhe zhvillimi i burimeve njerëzore që nevojiten në industri për mbarëvajtjen e këtij sistemi, respektivisht trajnimi i instruktorëve për zbatimin e sistemit dual.
Një nga çështjet kryesore për t’u diskutuar dhe zhvilluar ishte dhe ajo mbi provimet gjatë aftësimit profesional dhe certifikimi në fund të procesit.
“Bashkëpunimi mes shkollave të mesme dhe të ulëta, shkollave të arsimit dhe trajnimit profesional dhe sondazhet mbi efektivitetin e mësimit dual nga perspektiva e studentëve, mësimdhënësve, bizneseve, dhomave dhe shoqatave të biznesit, janë thelbësore për suksesin e kësaj nisme tonë të përbashkët”, përfundoi ai.