Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në bashkëpunim me Komitetin e Specializantëve, ka vazhduar kursin mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza 1, Shkathtësitë Bazike Kirurgjike kësaj radhe Moduli 11: “Hapja dhe Mbyllja e Laparotomisë dhe Shkathtësitë bazë Laparoskopike’’, i cili është dizajnuar sipas modelit të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, (ACS/APDS Surgery Resident Skills Curriculum), dhe është pjesë e një kurrikule me tre faza.
E gjithë kjo punë është arritur fal angazhimit të përbashkët të Komiteteve për Edukim Specialistik, Komitetit për Edukimin e Studentëve të Mjekësisë, Komitetit për Edukim të Vazhdueshëm Profesional dhe Komitetit të Specializantëve, ku ky modul si modulet tjera janë përqendruar në procedurat e menaxhimit të rrugëve të frymëmarrjes.
Moduli 11: “Hapja dhe Mbyllja e Laparotomisë dhe Shkathtësitë bazë Laparoskopike’’, me ligjërues Dr. Valon Zejnullahu, dhe Prof. Ass. Dr. Astrit Hamza.
Me këtë rast, drejtori Ekzekutiv i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, dr. Sadik Llullaku, përshëndeti të pranishmit, specializantët në këtë modul, dhe njëherit vuri në pah profesionalizmin e Dr. Valon Zejnullahu, dhe Dr. Astrit Hamza, të cilët janë model që me punën dhe përkushtimin që kanë treguar, mund të arrihet niveli i standardeve ndërkombëtare në lëmin e shkencës në Kosovë.
Njëherazi, dr. Llullaku prezantoi punën e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës në edukimin e specializantëve, për të cilën tha se është e rëndësishme prezenca e specializantëve, në mënyrë që të marrin dije dhe të avancohen në profesionin e tyre të shkencës.
Sipas tij, Kolegji i Kirurgeve te Kosovës po bën punë të vazhdueshme për të ndihmuar specializantët që t’i fitojnë aftësitë dhe shkathtësitë e nevojshme, për të qenë laparoskopistë të mire.
Ai vlerësoi lartë kontributin e vazhdueshëm dhe në koherencë, që ka dhënë dhe po vazhdon edhe më tutje të japë kryetari i KCS-së, Prof. Dr. Rifat Latifi. Njëherit, Dr. Llullaku premtoi se me ndihmën e Prof. Rifat Latifit, dhe nënkryetarëve të diasporës do të mundësojnë të sjellin ekspertizën më të mirë botërore për edukimin profesional te specializanteve.
Sipas dr. Llullakut, me këtë angazhim, është duke u përmbushur një nga qëllimet kryesore të misionit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, përkitazi me edukimin e mjekëve të rinj sipas standardeve profesionale ndërkombëtare.
Ndërkaq, Dr. Sc. Valon Zejnullahu, përmes këtij moduli me temën “Shkathtësitë bazë Laparaskopike”, hapi një dritare të re, në mjekimin kirurgjik të pacienteve me sëmundje të barkut, atë me casje minimale invazive, gjegjësisht përdorimi i laparoskopisë në kirurgjinë bashkëkohore. Me specializantet ai, shpjegoi veçoritë e laparoskopisë, indikacionet, përparësitë dhe vështirësitë e aplikimit të kësaj metode në kirurgji.
Po ashtu, Dr.Sc. Zejnullahu tregoi se laparoskopia punohet edhe te ne, pra në Kosovë, që 20 vite, dhe ka zhvillime të hovshme. Pothuajse, çdo operacion në bark, sipas tij, që është kryer me metodën e hapur klasike kirurgjike, mund të bëhet sot edhe me laparoskop. Por, sipas dr. Zejnullahut, për të arritur këtë duhet ekspertizë e lartë në laparoskopi.
Ndërkaq, Prof. Ass. Dr. Astrit Hamza, duke folur për temën ” Hapja dhe mbyllja e Laparotomisë”, shpjegoi në detaje qasjet kirurgjike në hapësirën e barkut, lokalizimet në varësi nga patologjia që do të operohet si dhe strukturat anatomike qe takohen gjatë qasjes.
Gjithashtu, dr. Hamza shpjegoi para specializantëve, edhe parimet dhe mënyrat bashkëkohore të mbylljes së prerjeve abdominale-laparotomisë. Në diskutim me specializantet, u sqaruan çështje që i takojnë kirurgjisë abdominale, kirurgjisë së fëmijëve, gjinekologjisë dhe urologjisë.
Pjesëmarrës në këto diskutime ishin edhe Prof. Dr. Sadri Bajraktari, kryetar nderi i Komitetit të Specializanteve dhe Prof. Dr Salih Krasniqi, i cili paraqiti një përmbledhje të videove me operacione të ndryshme laparoskopike nga Qendra e Laparoskopisë e Klinikës Abdominale në QKUK.
Faza 1 – Edukimi Bazik, është krijuar për t’u mësuar specializantëve aftësitë thelbësore kirurgjikale në fazat e hershme të trajnimit të tyre.
Secili nga 12 modulet do të udhëhiqet nga një specialist (si instruktor dhe si mentor) dhe një specializant. Në këtë Kurs po marrin pjesë mbi 70 specializantë, dhe faza e parë do të vazhdojë të mbahet çdo dy javë deri në fund të muajit Qershor 2023.