22.7 C
New York
Friday, June 13, 2025

Buy now

Mbahet mbledhja komemorative për ish-kryeministrin e Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi

- Advertisement -

 

Nën patronazhin e Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja komemorative në nderim dhe përkujtim të jetës dhe veprës së Dr.Bujar Bukoshit, ish-kryeministrit të Kosovës.

 

Kjo mbledhje që u mbajt në ambientet e Amfiteatrit të ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, në Prishtinë, filloi me një minutë heshtje, për të nderuar figurën e ish-kryeministrit Bukoshi, si një nga emrat kyç të jetës politike.

 

“Teksa vitet kalojnë, ne fitojmë pozicione pikëpamjesh të reja për zhvillimet e mëhershme politike dhe historike edhe të viteve ’90-ta, kur Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesor. Ndër rrjedhën e pandërprerë të kohës, historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë angazhimin dhe veprimtarinë e Bujar Bukoshit, kur do të shkruajnë historinë moderne politike të Kosovës. E në të, emri i tij do të jetë natyrshëm ndër më të përmendurit, më të spikaturit për veprën e tij që duhet vendosur saktë në kontekstin e kohës dhe interpretuar ndër rrethanat e asaj periudhe. Aq më tepër që emri i Bujar Bukoshit, është përjetësuar me dorën e tij edhe në dokumentin themeltar të shtetit tonë, në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, të 17 shkurtit të vitit 2008”, tha kryeministri në fjalën e tij të rastit.

 

Dr. Bujar Bukoshi, u kujtoftë ndër breza, ashtu siç do të njihet padyshim në historinë e Kosovës.

 

Rikujtojmë se nga ora 10:00 deri në orën 13:00 mbahen homazhe për Dr. Bujar Bukoshin në Hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Dr.Bujar Bukoshi, në Kompleksin e Dëshmorëve në lagjen Velania në Prishtinë nga ora 14:00.

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

E nderuar familje Bukoshi,

E nderuar znj. Zana Bukoshi, të nderuara Ora, Shota dhe Nita Bukoshi, bashkëshorte dhe vajza të të ndjerit, ish-Kryeministrit Bujar Bukoshi

Të nderuar Dardan dhe Taulant, nipër të Dr. Bukoshit

Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë të të gjitha kohërave dhe situatave të Dr.Bujarit,

I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, z. Mehmet Kraja,

Të nderuar kolegë ministra, zëvendësministra e deputetë,

I nderuari ish kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa,

Zonja dhe zotërinj, profesorë e studentë, të nderuar të pranishëm që i jeni bashkuar sot nderimit dhe kujtimit të përbashkët për Dr. Bujar Bukoshin,

 

Më lejoni që bashkë me konsideratat e mia më të larta, t’ju drejtohem nga detyra e Kryeministrit të Kosovës, në këtë mbledhje komemorative për Dr. Bujar Bukoshin, ish-Kryeministrin e Kosovës.

 

Sot, janë mbushur 26 vjet nga çlirimi i Kosovës prej Serbisë si shtet pushtues, nga 12 qershori i vitit 1999. Megjithëse tashmë ka kaluar një çerekshekulli nga koha e luftës, ende edhe sot, kushdo që mëton ta njoh Kosovën edhe si shtet, edhe si shoqëri edhe si realitet politik, duhet ta njoh mirë Kosovën e viteve ’90-të.

 

Dhe sapo t’i qasemi historisë së Kosovës së dekadës së viteve ’90, një nga emrat kyç të jetës politike që shfaqet, është emri i Bujar Bukoshit, i cili para dy ditësh më 10 qershor 2025, u nda nga kjo jetë në moshën 78 vjeçare. Në kronikat dhe lajmet e përditshme të asaj kohe, emri i Bujar Bukoshit është pothuajse i kudondodhur. Që nga viti 1991, Bujar Bukoshi ishte Kryeministër i Qeverisë në ekzil të Republikës së Kosovës.

 

Në një kohë kur Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës më 1989 dhe kur kishte instaluar një regjim të egër apartheidi në Kosovë, kur me politikat e saj shtypëse, Serbia këmbëngulte që Kosova ishte vetëm një pjesë e Serbisë dhe asgjë më shumë, qytetarët e besuan fuqishëm Kosovën si shtet më vete, me President, Dr. Ibrahim Rugovën dhe Kryeministër, Dr. Bujar Bukoshin. Ndonëse Republika e Kosovës e shpallur më 1990, u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, ajo prodhoi realitete politike të fuqishme, të painjorueshme dhe të jashtëzakonshme siç ishte dhe vetë ajo kohë, pra, e jashtëzakonshme.

 

Republika e Kosovës e deklaruar si e tillë më 1990 si e para Republikë e Kosovës dhe si një republikë për rezistencë, gjatë gjithë ekzistencës së saj deri pas çlirimit, e pati për kryeministër Bujar Bukoshin. Në një kohë kur ajo u refuzua nga shumë të tjerë, Bujar Bukoshi e mori detyrën e Kryeministrit të Kosovës nga Presidenti Ibrahim Rugova, më 12 tetor 1991. Pra, Bujar Bukoshi ishte kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së parë të Kosovës.

 

Por, kush ishte ky njeri, ky politikan e profesionist, si profil publik? Bujar Bukoshi ka lindur më 13 maj të vitit 1947, në Suharekë, ku e kreu shkollimin fillor. Pasi e përfundoi gjimnazin në Prizren më 1964, Bukoshi i vijoi studimet për mjekësi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi më 1971. Ai fitoi bursa specializimi profesional në Gjermani, në Klinikën Urologjike të Spitalit Kemperhof në Koblenz si dhe në Klinikën Urologjike të Spitalit Steglitz në Berlinin Perëndimor. Bujar Bukoshi, doktori në Universitetin e Lirë të Berlinit më 1986, vetëm tre vite para se të binte Muri i Berlinit, kohë kjo e cila Bukoshin e gjeti mes themeluesve të partisë, Lidhja Demokratike e Kosovës. Profesor Bujar Bukoshi ligjëroi në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës, kurse në kohë të ndryshme, punoi si mjek në Suharekë, në Drenas dhe në Prishtinë, duke bërë emër si kirurg urolog.

 

Pasi u ngarkua me detyrën e Kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi migroi fillimisht në Slloveni, ku qëndroi rreth gjashtë muaj në Bled, para se të zhvendosej në Gjermani. Nga Ulmi dhe Boni, Kryeministri Bujar Bukoshi me bashkëpunëtorët e tij, u angazhua maksimalisht për t’i njohur kancelaritë evropiane dhe amerikane me shtypjen politike dhe shkeljet e ashpra të të drejtave të njeriut dhe ato kombëtare nga regjimi serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ai takoi panumër krerë shtetesh e politikanë rangjesh të ndryshme si dhe delegacione e komisione politike të të gjitha ngjyrave partiake, vetëm për ta shtyrë përpara çështjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Komunikimi i tij me diplomatët e mediat dhe veçanërisht me gazetarët gjermanë, ishte shembull i komunikimit me publikun të një kryeministri në ekzil, vendi i të cilit po kalonte në regjime dhune dhe kohë lufte.

 

Në vitet e ‘90-ta në ballë të rezistencës ndaj Serbisë shoviniste ishte arsimi shqip – shkollat dhe universiteti, nxënësit e studentët, arsimtarët e profesorët, familjet pronare të shtëpive shkolla. Qeveria në ekzil e cila udhëhiqej nga Dr. Bukoshi organizonte finanacimin dhe mbështetjen e domosdoshme për arsimin tonë nën okupimin e huaj. Këshillat e financimit ndodheshin e vepronin përditë në çdo komunë të Kosovës.

 

Dr. Bujar Bukoshi ishte mbështetës i rezistencës paqësore por me raste edhe kritik i saj, siç ishte edhe mbështetës i kryengritjes së armatosur, por nganjëherë gjithashtu edhe kritik i saj. Ai ishte i guximshëm në çdo situatë, kurajoz në politikbërje, realist në qëndrime dhe adhurues i veprimeve. Në vjeshtën e vitit 1997, ish-kryeministri Bujar Bukoshi ishte përkrahës i protestave studentore të Universitetit të Prishtinës si institucion republike e vatër rezistence e që asokohe udhëhiqej nga rektori Ejup Statovci, e më pas nga rektori Zenel Kelmendi.

 

Teksa vitet kalojnë, ne fitojmë pozicione pikëpamjesh të reja për zhvillimet e mëhershme politike dhe historike edhe të viteve ’90-ta, kur Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesor.

 

Ndër rrjedhën e pandërprerë të kohës, historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë angazhimin dhe veprimtarinë e Bujar Bukoshit, kur do të shkruajnë historinë moderne politike të Kosovës. E në të, emri i tij do të jetë natyrshëm ndër më të përmendurit, më të spikaturit për veprën e tij që duhet vendosur saktë në kontekstin e kohës dhe interpretuar ndër rrethanat e asaj periudhe. Aq më tepër që emri i Bujar Bukoshit, është përjetësuar me dorën e tij edhe në dokumentin themeltar të shtetit tonë, në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, të 17 shkurtit të vitit 2008. E në këtë pikë, uroj që një ditë, jo të largët, dikush nga historianët dhe studiuesit të na shërbejë në publik me ndonjë biografi për jetën dhe aktivizmin e doktorit politikan dhe të kirurgut kryeministër, Bujar Bukoshit.

 

E nderuar familje Bukoshi, ju lutem që me këtë rast, t’i pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për Dr. Bujar Bukoshin. Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë të Bukoshit, ngushëllime për këtë ndarje mes jush.

 

Dr. Bujar Bukoshi, u kujtoftë ndër breza, ashtu siç do të njihet padyshim në historinë e Kosovës.

 

Ju faleminderit!

Të ngjashme

Të fundit