Lidhja Rajonale e Futbollit e Prishtinës zhvilloi këtë të enjte punimet e Kuvendit të Rregullt Zgjedhor, ku morën pjesë 23 delegatë nga 25, sa i ka ky kuvend.
Gjatë punimeve të këtij kuvendi u harmonizua statuti i kësaj Lidhje Rajonale me statutin e FFK-së, ndërsa ndër pikat e rendit të ditës ishte zgjedhja e të propozuarit si kandidat për anëtar në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.
Me vendimin e Bordit të LRF Prishtina, të marrë më 12 dhjetor 2025 dhe në pajtueshmëri të plotë me statutin e FFK-së u shpallën zgjedhjet për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga radhët e LRF Prishtina.
Delegatët e LRF Prishtina propozuan z. Ismajl Ajetin si përfaqësues të regjionit të Prishtinës në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së. Kjo kandidaturë u mbështet unanimisht nga të gjithë delegatët e pranishëm në Kuvendin e LRF-së.
Pasi mori mbështetjen e delegatëve si i nominuar për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga LRF e Prishtinës, Ismajl Ajeti i falënderoi të gjithë për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë për zhvillimin e futbollit në këtë regjion.
“Ju falënderoj nga zemra për besimin dhe mbështetjen e dhënë sërish që t’ju përfaqësoj juve dhe interesat e klubeve tuaja në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së. Si gjithmonë, jemi bashkë dhe do të mundohemi që për të gjitha klubet dhe shkollat të ngrisim nivelin e zhvillimit të futbollit në regjionin tonë. Kjo është një përgjegjësi e madhe, të cilën zotohem se do ta kryej me nder”, tha ai.






