Gjatë vizitës zyrtare në Zagreb, pas takimit bilateral me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković dhe pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy shteteve tona që rrisin e avancojnë nivelin e bashkëpunimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari mori pjesë në Forumin Ekonomik Kosovë-Kroaci.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu se kjo ngjarje simbolizon përkushtimin tonë intensiv për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.
Më tej, ai trajtoi zhvillimin që ka njohur vendi në katër vitet e fundit dhe avancimin në shumë fusha. Theksoi dyfishimin e eksporteve dhe të investimeve të huaja, rritjen e qarkullimit të bizneseve në vitin 2023 për gati 60% në krahasim me vitin 2019 (që është viti i parë parapandemik) dhe përparësitë që Kosova ka për investitorë të huaj. Ndër të tjera përmendi dhe miratimin së fundmi të Ligjit të ri për Investimet e Huaja, procesin e krijimit të Agjencisë për Investime dhe Eksporte, forcimin e kornizës sonë ligjore për siguri maksimale bizneset në Kosovë duke përfshirë krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, zhvillimin e strategjive që përfshijnë shkëmbimin e përvojave dhe inovacioneve me vende të tjera evropiane siç është edhe Kroacia, si dhe zhvillimi i sektorëve të energjisë, infrastrukturës dhe digjitalizimit.
“Kosova është një treg i rëndësishëm që po zhvillohet vazhdimisht dhe ne besojmë se së bashku me Kroacinë do të kontribuojmë në krijimin e vlerave dhe mundësive të reja për ekonominë tonë rajonale dhe globale. Si Qeveri, ne jemi të përkushtuar për të krijuar një mjedis biznesi që është i sigurt, i qëndrueshëm dhe jashtëzakonisht konkurrues. Dyert tona janë gjithmonë të hapura për investime të reja ndërkaq qëllimi ynë është i qartë – ta bëjmë Kosovën një nga tregjet më tërheqëse në Evropën Juglindore. Kosova është treg për kompanitë, por në të njëjtën kohë qeveria jonë do të jetë partneri juaj” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.
Ndërkaq në adresimin e saj, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se Kosova po përjeton rritje ekonomike vit pas viti, duke theksuar mundësitë për zgjerim të sektorit industrial, përmirësimin e ambientit të të bërit biznes me kushte të favorshme dhe lehtësim të procedurave, me investime të qëndrueshme, drejtim në inovacion dhe prodhim, hartimin dhe miratimin e strategjisë së parë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetjen e Biznesit 2030, nxitjen e punësimit dhe rritjen e kualifikimit të fuqisë punëtore.
Ky ishte forumi i dytë ekonomik Kosovë-Kroaci. I pari ishte mbajtur në Kosovë, në janar të vitit të kaluar.