Në mungesë të kuorumit, seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë dhe kështu nuk ka qenë e mundur që të votohet edhe rezoluta e Vetëvendosjes (VV), për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qytetarët duhet të mbrohen nga ndikimi i inflacionit dhe kriza ekonomike.
Në seancën e sotme të Kuvendit, Kusari-Lila, duke prezantuar rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve, tha se përmes saj dhe hartimit të ligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, s’do të ketë fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve.
Ajo tha se ekonomia e Kosovës nuk ka arritur të forcojë bazën e prodhimit vendor dhe për shkak të importit të madh, qytetarët po përballen me inflacion të lartë.
“Ofron mundësinë e vendosjes së rrjetës mbrojtëse në situatat kur hapësira për të abuzuar me pozitat dominuese ndjeshëm rritët, bashkë me probalitetin e ndikimit negativ te një numër i madh i qytetarëve, të cilët shkallën e lëndueshmërisë e kanë më të lartë. Ajo çfarë ne po propozojmë është dhënia e mundësisë së vlerësimit real të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara në vend. Duke i njohur prodhuesve dhe importuesve shpenzime dhe fitimin, por duke siguruar se në asnjë mënyrë nuk do të krijohen hapësira për një pozitë dominuese apo abuzuese, që sjellin fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve. Në situatën e krizës së inflacionit, e cila nuk ka kursyer as ekonomitë të mëdha, dizajnimi i pakos për mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimi i lartë do të varet nga specifikat e ekonomisë së vendit”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se ulja e TVSH-së në disa sektorë nuk përcillet me uljen e çmimeve te konsumatorët, por vetëm fitim më të madh të bizneseve.
“Me praktikën e mëhershme se ulja e TVSH-së në një sektor nuk përcillet me uljen e çmimit për konsumatorët, por rritjen e fitimit për bizneset, është i domosdoshëm mekanizmi i cili parandalon abuzimin me faktorët e lartpërmendur. Për një kohë të caktuar mban një masë në treg, e cila siguron që qytetarët nuk do të mbesin tërësisht mangësive të ekonomisë sonë”, përfundoi ajo.
Ndërkaq Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë në Kuvend se Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar qytetarët në krizën më të madhe ekonomike që nga paslufta dhe që përmes rezolutave po provojnë të fshihen nga qeverisja e mirëfilltë.
Sipas Krasniqit, Kuvendi më së miri flet përmes ligjeve, por dinamika e lodhtë e kësaj mazhorance, që ka kaq shumë numra e s’ka kuorum për ligje, e ka pru punën që Kuvendi sot me folë me Rezoluta.
“S’ka kurrgjë të keqe nga një Rezolutë, por kjo Rezolutë nga mazhoranca, me të cilën e mëson qeverinë që e ka votua vetë, se çka me ba e qysh me u sjellë në një rrethanë të caktuar, para se të flasë për karakterin e rezolutës, flet për karakterin e Qeverisë. Për më tepër, me këtë rezolutë edhe pse mbështetësi i Vetëvendosjes s’ju beson syve, i bien që Mimoza po e mëson Albinin çka me ba”, ka deklaruar Krasniqi.
Më tej, duke folur për krizën e paralajmëruar ekonomike, Krasniqi ka shtuar se Qeveria Kurti në vend sa ta pranojë inflacionin si një problem makroekonomik dhe t’i qaset me instrumente të politikave ekonomike, kanë zgjedhur një qasje komplet të gabuar dhe qëllimisht të gabuar, duke u munduar ta minimizoni këtë problem në diçka që lidhet me abuzues të çmimeve.
“Ju keni abstenuar nga instrumentet fiskale që i keni në dispozicion, dhe këtë paaftësi tuajën po përpiqeni ta kompensoni duke u përpjekur ta gjeni fajtor, i cili ju mjafton si etiketë për të vendosë politikë të kontrollit të çmimeve”, ka thënë Krasniqi në Kuvend.
“Një qeveri e tillë, të dashur qytetarë, numrat i ka, por karakter jo. As dije as vetëdije. As guxim, as veprim”, ka thënë tutje ai.
Kundër kësaj rezolute kanë qenë edhe LDK me AAK’në, të cilët së bashku me PDK’në e lëshuan edhe sallën pak para përfundimi të seancës.
Të pranishëm për votimin e rezolutës kanë qenë vetëm 57 deputetë dhe seanca është shtyrë për një ditë tjetër. Pra nga 59 deputetë sa ka VV, 57 kanë qëndruar në sallë.