Publicisti Muharrem Mavraj e ka komentuar vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi, që ia bëri dje babait të tij në QKUK.
Mavraj tha se me paraqitjen e tij, shkallëve të QKUK-së, Thaçi më shumë sesa krenar, u tregua dinjitoz, teksa shtoi se me qëndrimin, stabilitetin e përshëndetjen e tij, ai tregoi çka humbur Kosova.
“Pavarësisht situatës në të cilën ai ishte, me paraqitjen e tij, përshëndetjen e tij, qëndrimin e tij, me stabilitetin e tij, ai tregoi çka ka humbur Kosova faktikisht, një lider të madh dhe çfarë e pret Kosovën në të ardhmen, kur ai të kthehet herët a vonë këtu dhe herët a vonë plotësisht i pafajshëm, jo vetëm ai por i tërë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së që po mbahen atje dhe pjesëtarët e UÇK-së që po mbahen në Hagë”.
“Do të jetë fitore shumë e madhe, jo për ta personalisht, por për Kosovën sepse ata kanë shkuar që ta pastrojnë Kosovën nga ato siç është thënë tekstualisht re të zeza mbi qiellin e Kosovës. Personalisht jam shumë i prekur, por njëra nga to është se pashë ndryshim bukur të madh nga vizita që ia kam bërë këtij dhe të tjerëve në Hagë, kur ishte 25-vjetori i demonstratave të ’97. Më i thinjur dhe më i lodhur, por dinjitoz i njëjtë”, tha Mavraj në Edicionin Special në Klan Kosova.