Në fillimin e muajit gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një konference për media njoftoi se ka tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22.07.2025, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pasi sipas saj, gjyqtar raportues i lëndës është caktuar Radomir Llaban, për të cilin konsideron se ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.
Mirëpo sot, Osmani ndërroi busullën.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina njoftoi se Osmani do t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Sipas analistit, Halil Matoshi, Osmani duhet të kërkoj qartësim nga Kushtetuesja për dy çështje.
E para se a duhet Vetëvendosje, si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të bëj zgjedhjen e dy nënkryetarëve nga pakicat.
Si dhe, të sqarohet se çfarë ndodhë me Kuvendin nëse as pas afatit i cili është deri më 30 shtator, nuk arrihet marrëveshje në mirëbesim për votmin e dy nënkryetarëve.
“Është krejt e qartë se dy nënkryetarët nga radhët e pakicave, që kanë 20 vende të garantura në Kuvend, zgjedhen në paketë me 61 vota plus.
Dhe kjo e bënë përgjegjëse shumicën etnike dhe parlamentare që t’i votojnë dy nënkryetarët – me marrëveshje në mirëbesim – dhe mugesa e mirëbesimit po e tronditë rendin kushtetues të vendit. Sëkëndejmi Presidentja duhet të kërkojë nga Kushtetuesja ta precizojë këtë fakt: A është DETYRIM i shumicës parlamentare (partisë që ka fituar më së shumti vende në Kuvend) zgjedhja e dy Nënkryetarëve, siç është e detyruar të mbrrijë 61 vota për Kryetarin që e propozon partia e parë!?
Dhe së dyti, duhet të kërkojë nga Gjykata të precizojë masën strikte, se çfarë ndodhë me Kuvendin nëse as pas afatit optimal nuk arrihet marrëveshje në mirëbesim për votmin e dy nënkryetarëve!”, u shpreh Matoshi për Periskopin.
Javën e kaluar, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ia ndaluar deputetëve të zgjedhur të ndërmarrin veprime.
Gjithashtu ndaloi edhe zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re.
Kjo masë u vendos në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe