Të gjithë e kanë hallin e njëjtë.
I pari e i fundit nga ta, u mashtruan nga një kompani, e cila ua mori nga dhjetëra mijëra euro për banesa të shitura në Fushë Kosovë, por nuk ua bëri kurrë ato realitet, qysh prej vitit 2021.
Të dëmtuarit u ankuan veçmas në polici, por kjo nuk kreu punë.
Ata vendosën që këtë të enjte të bëjnë së bashku kallëzim penal ndaj Keni ShPK, për të cilën thonë se i mashtroi dhe banesat e premtuara në rrugën “Hajrullah Zymi” nuk i ndërtoi asnjëherë.
Të mashtruarit thonë se paratë që paguan, nga 30 deri 40 mijë euro secili, nuk do t’ia falin atyre që ua morën, ndërsa lusin organet e drejtësisë të marrin masa ndaj Dren e Sami Rexhës.
Avokati Dren Kokaj që do të përfaqësoj një pjesë të viktimave, thotë që pret një aktakuzë nga prokurori rastit, ngase lënda ndaj pronarëve, sipas tij, më herët u parashkrua padrejtësisht.
Hulumtimi për këtë rast u publikua ekskluzivisht në emisionin Kiks Kosova më 2 maj, ku u prezantuan rrëfime, dëshmi nga kontratat të noterizuara e dokumentet e marrëveshjes, të cilat dëshmojnë atë që blerësit e quajnë mashtrim të bërë nga kompania Keni ShPK.
Kontakti me pronarët e saj ishte i pamundur qe disa javë pasi ata nuk janë të qasshëm dhe sipas informacioneve, kanë ikur jashtë shtetit.
ndërmjetësuesit e marrëveshjeve për shitblerje të këtyre banesave, Gzim e Burim Hasani nuk kanë pranuar të flasin.