Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve“.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre juridikë pranë Ministrisë së Arsimit nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës, keqpërdorim e mashtrime me tenderë dhe falsifikim të dokumenteve. Sipas një njoftimi për media të mërkurën, ata akuzohen se kanë mashtruar me tenderë për të përfituar dikush qëllimisht. Dëmi konsiderohet mbi shtatë milionë euro.
Të akuzuar si persona fizikë janë: N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., dhe të pandehurit persona juridikë janë ”A&F P. Sh.p.k, ”S. Sh.p.k”, ”Sh.G Sh.p.k”..
Sipas aktakuzës, “A.M, N.D., nga 02.04.2019 e deri më 11.03.2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe TEknologjisë, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit “Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë”. Në këtë rast, dëmi që i është shkaktuar buxhetit sipas Prokurorisë, është më shumë se 1.8 milionë euro.
Ndërkaq, të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., nga 26.10.2020 deri më 27.11.2023, “në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se ato të tregut duke i shkaktuar buxhetit dëm prej 2,148,282.35 euro”.
Aktakuza thekson se në kundërshtim me kontratën, këta zyrtarë kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar në kontratë. Në këtë rast dëmi është mbi 3.6 milionë euro.






