Mësuesit e arsimit fillor, ata gjuhës shqipe dhe të matematikës, janë tri profilet që kanë kohë edhe një ditë për t’iu përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Arsimit, nëse duan të aplikojnë për licencën e avancuar për mësimdhënie.
Sipas ministres së arsimit, Arbërie Nagavci, ata që kalojnë në këtë gradë do të përfitojnë shtesat e performancës në vlerën monetare prej 1.2 të vlerës së koeficientit.
“Kjo është thirrja e parë që MASHTI e bën për mësimdhënësit e shkollave publike në Kosovë dhe një hap shumë i rëndësishëm drejt avancimit të performancës së tyre. Të gjitha ato/ata që do të përmbyllin suksesshëm këtë proces do të përfitojnë shtesën e performancës…”, tha Nagavci.
Mirëpo, SBASHK, konsideron se ky proces u thirr disi në heshtje dhe pa konsultime me sindikatën e arsimit, andaj, kryetari Rrahman Jashari, shprehet skeptik.
“ Nuk jemi njoftu për këtë. Është bërë njëfarë mënyre në heshtje. Është dashur të takohet me ne. Dhe mësimdhënesit të njoftohen pak më shumë me këtë proces. Më mirë vonë se hiç, por kam frikë se si do të shkoj e a do të ketë rrjedhë të mbarë…”, tha Jashari për rtv21.
Njohësi i arsimit, Jonuz Salihaj, vlerëson se ky proces është hiç më shumë se fushatë propaganduese, të cilën e konsideron të vonuar e vështirë të realizueshme.
“…do të kishte qenë e dobishme nëse do bëhej pak më parë. Kur janë bërë udhëzimet që e rregullojnë procesin e licencimit. Asnjë qeveri ska pasë vullnet me bë këtë proces në praktikë. Për këtë duhet me u kriju kushtet, të cilat nuk janë krijuar ende. Ma shumë është një lloj fushate propagandistike, kinse MASHT-i ka arritë dicka sesa që kanë qenë në gjendje me zbatu një proces të tillë…”, tha Salihaj.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se thirrja për licencën e avancuar mbetet e hapur deri më 19 dhjetor.