Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në promovimin e librit për Masakrën e Poklekut në Drenas. Nga aty, Kurti ka bërë thirrje edhe një herë nga institucionet e drejtësisë që të punojnë për viktimat e luftës, raporton Ekonomia Online.
Kreu i ekzekutivit ka thënë ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.
“Këtu në Poklekun e Moqëm plagët janë të njoma, shteti serb që po zbatonte projektin serbo-madh për shfarosjen e shqiptarëve u përpoq të zhdukte gjurmët e krimit gjenocidal duke i djegur trupat e të vrarëve. Ai hi i mbledhur, ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës, është edhe thirrje për drejtësi edhe ky libër përshkohet nga kërkesa për drejtësi. Andaj, bëjmë thirrje që sistemi i drejtësisë të veprojë për drejtësi për viktimat e luftës”, ka thënë Kurti.
Autori Afrim Hysenaj gjatë promovimit ka thënë se botimi i librit ka qenë proces më shumë se dy vjeçar. Ai ka ndarë kujtimet e bashkëpunimit me familjet që pësuan nga kjo masakër, Muçolli, Elshani, Carraku dhe Hoxha.
“Sa herë që vija këtu, sa herë që takohesha me familjarët e dëgjoja rrëfimet e tyre, obligimi kombëtar më shtrohej për ta dokumentuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Hysenaj.