Home Lajme “Masa financiare, politike e të sigurisë”: Si u ndëshkua Kosova deri tani nga ndërkombëtarët?

“Masa financiare, politike e të sigurisë”: Si u ndëshkua Kosova deri tani nga ndërkombëtarët?

0
“Masa financiare, politike e të sigurisë”: Si u ndëshkua Kosova deri tani nga ndërkombëtarët?

Që nga fundi i muajit qershor, Kosova edhe zyrtarisht është nën masa nga ana e Bashkimit Evropian. Por edhe më herët, Kosova ishte përjashtuar nga “Defender 23”, si mjet ndëshkimi për tensionet në veri. Ndërsa sot Gjermania e konfirmoi se e ka ulur bashkëpunimin në siguri, ndërsa është shtyrë nënshkrimi i Programit të Evropës Digjitale, që kap një shifër prej 7,5 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Si u ndëshkua deri tani Kosova nga ana e ndërkombëtarëve?

Më 28 qershor, Kosova mori një lajm të hidhur në mënyrë zyrtare. BE-ja e njoftoi Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, se ka vendosur disa masa negative si pasojë e mungesës së shtensionimit në veri të Kosovës, për të cilën gjë BE-ja kishte hartuar një plan tre pikësh. Të gjitha këto masa, sipas BE-së, janë të përkohshme. Në një përgjigje të BE-së për mediet kosovare, theksohej se është pezulluar përkohësisht puna e organeve të MSA-së.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja” – theksohej në përgjigjen e BE-së.

Përveç kësaj, përkohësisht u pezullua edhe marrëveshja IPA, nga e cila këtë vit Kosova ka përfituar 75 milionë euro.

“Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e ËBIF më 29-30 qershor.” – ka thënë ky zëdhënës.

Ndërsa sot Ambasada Gjermane në Kosovë e ka konfirmuar për Nacionalen se ka vendosur përkohësisht ta zvogëlojë bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha, përfshirë atë të sigurisë.

“…lidhur me këtë BE-ja paralajmëroi masa për kufizimin e bashkëpunimit me Kosovën në fusha të ndryshme në rast se qeveria e Kosovës nuk do të merrte masat përkatëse për deeskalim. Në përputhje me këto politika, edhe Qeveria gjermane ka vendosur të zvogëlojë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën, duke përfshirë edhe sektorin e sigurisë.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Kosova është “përjashtuar” edhe nga Programi i Evropës Digjitale, një program i BE-së që kap shifrën prej 7,5 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Në fakt, Ministria e Ekonomisë e kishte konfirmuar ditë më parë shtyerjen së nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Komisionit Evropian.

“Sipas njoftimit të pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Rrjetet, Përmbajtjen dhe Teknologjinë e Komunikimeve, data e nënshkrimit të marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian është shtyrë.” – kanë deklaruar nga Ministria e Ekonomisë.

Ndërsa, kohë më parë, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, kishte deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës është përjashtuar nga stërvitjet ushtarek me NATO-n, që u mbajtën në Kosovë gjatë muajit maj.

“Indikacioni i parë i kësaj gjëje ishte vendimi që mori Gjenerali i NATO-s për Europë Juglindore për të anuluar pjesëmarrjen e Koforës në Defender 2023, që ndodhi gjatë natës. Dhe siç e dimë, nuk kishte aktivitete sot dhe s’do të ketë. Për Kosovën ai ushtrim u krye. Po mendojmë edhe për të tjera pasoja, po ashtu.” – deklaronte Hovenier gjatë një interviste me gazetarët kosovarë. /Nacionale/

Exit mobile version