Profesori universitar, Mazllum Baraliu ka vlerësuar se 120 deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës janë shkelës të Kushtetutës.
Sipas Baraliut, për moskonstituimin e Kuvendit përgjegjësi kanë të gjithë varësisht prej detyrave dhe fuqisë politike.
“Mendoj unë që nuk iu ka mbetur kredibilitet moral dhe etik, edhe politik që të ushtrojnë punën e tyre të besuar ndershmërisht dhe hyjnisht do të thosha unë nga qytetarët, pra të jenë deputetë dhe ta ushtrojnë mandatin e deputetit, për arsye të gjithë me rradhë pra 120 deputetët janë shkelës të Kushtetutës. Përgjegjësia I takon të parit dhe atij që e ka iniciativën mundësinë dhe shumicën për të bërë një kompromis ose një marrëveshje, por përgjegjësia gjithsesi është e pranishme edhe tek të tjerët dhe prandaj është për të ardhur keq përgjithësisht dhe përgjegjësia është e të gjithëve, varësisht prej detyrave dhe fuqisë politike natyrisht, por kanë pasur mundësi dhe detyrë madje me Kushtetë që deputetët ta ushtrojnë personalisht mandatin e deputetit”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Më tej, Baraliu ka dhënë mendimin e tij lidhur me atë se çfarë mund të ndodhë pas skadimit të masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese që ka hyrë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, periudhë kjo në të cilën deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
“Varet nga Gjykata Kushtetuese, por unë mendoj që ajo do të përpiqet në mënyrë konstruktive dhe kreative e afirmative të bëj një vendim i cili mbase nëse këta kanë gabuar dhe kanë ardhur në këtë situatë të mos e lejojë dhe të jap një mundësi që edhe në një afat shtesë, por jo shumë, pra jo 30 ditë më. Edhe mund t’iu tregojë se me cilat modalitete duhet shkuar për ta bërë Kuvendin dhe çfarë metoda dhe do të shpjegojë mbase edhe ato detajet që janë kërkuar nga partitë politike e nuk janë dhënë përgjigjet direkte si për shembull të tregojë nëse votimi i fshehtë bën ose nuk bën”, ka theksuar ai.