Pas raportimeve për nënshkrimin e një marrëveshjeje pesëvjeçare bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Serbisë dhe Rusisë në Beograd, deputeti Enver Hoxhaj ka reaguar përmes një postimi në Twitter, duke kritikuar qasjen e Serbisë ndaj Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Por, kritikë pati edhe ndaj Bashkimit Evropian.
Hoxhaj theksoi se Serbia nuk mund të vazhdojë politikën e dyfishtë, duke përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht duke thelluar bashkëpunimin strategjik me Rusinë.
“Serbia nuk mund të vazhdojë të luajë në të dyja anët, duke marrë fonde nga BE-ja ndërkohë që thellon lidhjet strategjike me Rusinë. Nëse BE-ja dëshiron të mbetet e besueshme, duhet të hapë sytë dhe të veprojë ndaj Serbisë. Përndryshe, BE-ja po financon një shtet që punon kundër interesave të saj strategjike.”, ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk mund të tolerojë paqartësi strategjike dhe se vendet që synojnë anëtarësimin duhet të jenë të rreshtuara qartë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe politikën e përbashkët të jashtme të BE-së.
Hoxhaj ka theksuar se në të kundërtën, vetë kredibiliteti i Bashkimit Evropian vihet në pikëpyetje.






