Pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës me dy komunat Mitrovicë e Jugut dhe Mitrovicë e Veriut për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se këto ura bashkojnë më shumë qytetin dhe lehtësojnë lëvizjen.
Këtë marrëveshja e ka mirëpritur edhe Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate, por thotë se Kurti nuk njihet si kryeministër që ka ndërtuar ura, por që ka shkatërruar.
“Ne duhet me i besu kryeministrit tonë që kur thotë diçka ‘e bëj’, e bënë. Nuk ka dashur për ta zëvendësuar. E ka pasur idenë e mirë. Ai me siguri është konsultuar me profesionistë, me Bahtirin këta të Mitrovicës… e kanë parë më të arsyeshme infrastrukturën, ndërsa edhe kryetarët e komunave, madje edhe bordi i ri që është krijuar ndërkomunal është gjithçka e mirë si ide, por që Kurti nuk njihet fort për ndërtim të urave, më shumë njihet për shkatërrim të urave”, tha ai në Tëvë1.
Ndërkohë, njëjtë deklaroi edhe profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, i cili tha se Kurti duhet ta thyejë këtë mit negativ që është krijuar ndaj tij.
“Fatkeqësisht, nuk njihet për ndërtim të urave. Unë kisha pas qejf që ai me thye këtë mit negativ për vetën e tij dhe me i bë ato dy ura. Të paktën në fushatë me hap edhe këtë Urën e Ibrit, natyrisht nëse fillon me bë kompozite ashtu siç ia nisi – prapë dalin telashe, por nëse e bën akt të kryer në një mëngjes me i heq ato pengesa dhe me e shpall të hapur Urën e Ibrit, ajo kryhet. Nuk është një gjë më që shkakton probleme”, deklaroi ai.