Home Lajme Marrëveshja për deklaratën mbi të pagjeturit: Fjalët e Kurtit të cilave mund t’ia shohë sherrin në Kosovë

Marrëveshja për deklaratën mbi të pagjeturit: Fjalët e Kurtit të cilave mund t’ia shohë sherrin në Kosovë

0
Marrëveshja për deklaratën mbi të pagjeturit: Fjalët e Kurtit të cilave mund t’ia shohë sherrin në Kosovë

Sot në Bruksel është mbajtur takimi i radhës mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, që është takimi i parë pas dakordimit në Ohër. Në fakt, edhe ky takim, që tashmë ka përfunduar, ka pasur në fokus marrëveshjen e Ohrit, më saktësisht zbatimin e dakordimit mes Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Çka ndodhi?

Kosova e Serbia kanë arritur një marrëveshje rreth një deklarate për personat e pagjetur. Së paku kështu pretendoi Petkoviq, i cili dha sinjalin se ka një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë rreth deklaratës për personat e pagjetur. Ai deklaroi se është treguar kujdes i veçantë rreth termave të përdorura.

“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë.” – tha Petkoviq pas takimit në Bruskel.

Tutje, ai tha se ka pasur edhe diskutime rreth Asociacioni të komunave me shumicë serbe.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit.” – ka thënë Petkoviq.

Por rreth kësaj marrëveshje ende nuk ka folur Bislimi, i cili është edhe kryenegociatori i Kosovës në bisedimet në Bruksel. Megjithatë, kryeministri Kurti kishte deklaruar publikisht rreth insistimit të Serbisë për t’u quajtur personat e pagjetur vetëm si persona të pagjetur. Tutje, Kurti tregonte se Kosova insiston që të theksohet se një gjë e tillë është bërë me dhunë e forcë.

“Beogradi zyrtar insiston të quhen vetëm persona të pagjetur, ne insistojmë të theksohet se kjo është bërë me forcë, është bërë me dhunë. Sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, por ne kemi familjarë që e dinë se personi i caktuar i uniformuar ose jo ua mori djalin ose vajzën. Pra, bëhet fjalë për rrëmbime, të cilët janë bërë me dhunë. Insistimi ynë është që të theksohet edhe kjo.” – tha Kurti.

Nuk dihet saktësisht se si është vendosur të quhen personat e pagjetur dhe nëse cili është togfjalëshi i përzgjedhur në këtë deklaratë. Po ashtu, ende nuk ka informacion nëse palë ka bërë lëshime në këtë pikë dhe se si është arritur kompromisi i pranuar nga të dyja palët. Ndryshe, Bislimi e ka konfirmuar se ka një dakordim fillestar rreth takimit të ardhshëm të nivelit të lartë, e që pritet të mbahet me 22 prill, raporton Nacionale.

“Sot gjatë ditës patëm disa takime bilaterale e në fund edhe takimin trilateral me Miroslav Lajçakun e Petar Petkoviqin, ku patëm dakordim fillestar që takimi i radhës i nivelit të lartë të mbahet më 22 prill. Por në momentin e fundit nuk është aq e sigurt, pasi ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë në këtë datë. Po shqyrtojmë datë alterantive. Ideja është me këtë datë të prezantohet një draft-fillestar i Grupit të Menaxhmentit. Ka pak paqartësi se si duhet të ecë procedura, kujt duhet t’i dërgohet drafti paraprakisht e si duhet të prezantohet.” – deklaroi Bislimi, transmeton Koha.

Tutje, Bislimi ka treguar edhe për temat e tjera të diskutuara në takim.

“Kam raportuar se deri në fund të marsit ka pasur një zhvillim të mirë, por pas kërcënimeve e djegieve të veturave, në ditën e hënë nuk ka pasur vetura të regjistruara. Ka pasur kërkesa të Serbisë që prapë Kosova të tregojë vullnet të mirë e të mos vendosë masa ndaj këtyre. Mendoj se kjo periudhë ka kaluar, më nuk mund të diskutohet e as negociohet për targa vetëm se duhet të zbatohet. Po ashtu çka është më me rëndësi, kemi diskutuar për mënyrën si duhet të sekuencohen hapat e tjerë që janë pjesë të marrëveshjes bazike. Puna e marrëveshjes për të pagjeturit, njohjes së ndërsjellë të diplomave, mos obstruksionit të Serbisë në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe elemente tjera që kanë të bëjnë me marrëveshjen bazike.” – theksoi Bislimi.

Exit mobile version