Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nuk kanë nevojë të marrin leje nga askush për të nënshkruar marrëveshjen në fushën e mbrojtjes, pas reagimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt”, tha Vengu, duke shtuar se ftesa për t’iu bashkuar kësaj iniciative i ishte bërë edhe Serbisë.
“Kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur ftesë që Serbia, nëse e konsideron të rëndësishëm stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të rajonit, t’i bashkohet kësaj iniciative”, u shpreh ai, duke nënvizuar se nuk ka marrë përgjigje.
Sipas Vengut, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova tashmë kanë nisur bashkëpunimin “në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor, por edhe të prodhimit ushtarak”.
Ai theksoi se me Kosovën ekziston dakordësi për mjetet e blinduara, duke përmendur “rreziqet reale në rajon” dhe duke shtuar se “ky është një partneritet i hapur”, i cili mirëpret edhe vende të tjera.






