Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë eliminuar nga Lojërat Olimpike “Paris 2024” në futboll, pasi u mposhtën 4-0 nga Maroku në çerekfinale.
Soufiane Rahimi, Ilias Akhomach, Achraf Hakimi dhe Mehdi Maouhoub shënuan golat në Parc des Princes që i dhanë fund shpresave të ShBA-së për një medalje në Lojërat e Parisit.
Maroku, i cili gëzoi mbështetje të zjarrtë në kryeqytetin francez, do të luajë të hënën në gjysmëfinale me Spanjën e cila e mposhti Japoninë sot.
ShBA-ja u kualifikua në çerekfinalen e Lojërave Olimpike për herë të parë që nga viti 2000, por që kësaj ecurie i dha fund Maroku, të cilët patën performancë të shkëlqyer në këto Lojëra Olimpike, e ku në fazën e grupeve e mposhtën edhe Argjentinën.