Shqipëria do të përballet me Anglinë të dielën e 16 nëntorit në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 18:00.
Ndërkohë që UEFA ka vendosur edhe për grupin e arbitrave që do të gjykojnë në këtë sfidë. Kryesor i këtij dueli do të jetë italiani, Marco Guida.
Ky i fundit njihet nga shqiptarët, pasi në të shkuarën, më saktë në vitin 2016 ka gjykuar finalen e Kupës së Shqipërisë, mes Kukësit dhe Laçit, sfidë që përfundoi 1-1 në 120 minuta lojë, me verilindorët që triumfuan në penallti 5-3.
Ai për pak sa nuk u kthye në armik për Kukësin, por ishte “makth” për pak minuta. Kjo për shkak se në minutën e 75-të, ai ndëshkoi me karton të kuq Niken, futbollistin e verilindorëve, duke lënë këta të fundit me 10 lojtarë.
Përsa i përket sfidës të së dielës, ai do të ketë asistentë Giorgio Peretti dhe Alessio Berti. Në rolin e arbitrit të katërt është emëruar Simone Sozza, ndërsa në VAR do të jetë italiani tjetër, Marco Di Bello.






